HOTI - veshtrim historik




Hoti është zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare dhe tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me "Certi Hocti" (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali. Malet më të njohura në këtë zonë janë, Bukoviqi dhe Cemeri. Objekt fetarë më i rëndësishëm është kisha në Brigje të Hotit.
Në të kaluarën ilire kjo zonë ishte e pjesë e "Maleve të Labeatëve" (mons labeatis). Me pushtimet romake bie nën administrimin e vendasve (në varësi romake). Shënohen edhe rebelët me Balshaj rreth fillimeve të shek. XV (Balshajt ishin kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e taksa). Me 1415, këta "rebelë" gjetën strehim pranë Venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan edhe me të holla. Në vitin 1416 shënohet se një Andrea "Otto" (Andrea i tetë) emrohet kapiteni i vetëm i maleve, e se kjo i dhurohej e gjitha Venecias, meqense hotjanët ishin prishur përfundimisht me Balshajt. Në vitin 1417 gjinden emërtime të ndryshme si "Otto" ose "De Hottis". Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet për luftë guerilase kundër princërve të Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit. Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës së lartë (superiore) me inisiativën e Stefano Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vehte me një kryetar, emrua pastaj Vojvodë, i cili është në bashkëpunim me Venecien. Pak më vonë, ka një emigrim në Siçili, ku përkon me pushtimin turk, ndoshta për t'u shpëtuar reprezaljeve. Edhe sot në Siçili (Itali) gjinden rradhë mbiemra Hoti. Me 1479 kur sulltan ishte Muhamedi i dyte (1451-1481) Perandoria Osmane e pushton malësinë dhe nga kjo zonë formon nahien e Hotit. Nën pushtimin osmanë popullsia e prirë nga feudalët zhvillojnë disa kryengritje e luftëra ndër vitet: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869[1]. Ripopullimi i Hotit është bërë pas vitit 1500, si vit shënohet viti 1520 ku Geg Lazri, i biri i Lazër Keqit, i ardhur nga Bosnja (natyrisht tokë dikur ilire që flisnin shqip) u vendos në mes dy njerëzve vendas që gjeti në Hot. Familja e Geg Lazrit u shtua aq shumë, sa shumica e popullsisë së Hotit kanë për trung Gegë Lazrin. Ndërsa autoktonët, dy banorët që u gjetën në vitin 1520 gjinden në Loknikaj e Koje, ku në vitin 1911 numronin 12 shtëpi, që martoheshin me Hotin Tjetër, ndërsa Hoti në mes vehtes jo. (Duhet sqaruar se Lazër Keqi pati edhe tre djem të tjerë, Piper Lazri, Vaso Lazri, Krasni Lazri, nga ku kanë origjinën fiset e Piperit dhe Vasojeviqit, të sllavizuar tani, ndërsa Krasniqja e sotme rrjedh nga Krasni Lazri (shqiptare, por i myslimanizuar.) Në vitin 1610, 1614 shënohet se Hotët kishin 212 shtëpi me 600 burra të aftë për armë. Me 1635 - 220 shtëpi me 1100 frymë. Emërtimin Hot e gjejmë edhe në dokumentet e viteve 1671, 1688, 1689, e të gjithë katolikë, çfarë tregon për qëndresën e pashoqe ndaj pushtimit osman. Vetëm në dokumente të shekullit të 19-të gjen pak familje, që kishin kaluar në fenë islame (shpesh kjo vetëm për t'i shpëtuar reprezaljeve osmane, madje kishin dy emra në qeveri mysliman, e shoqëri katolik). Pikërisht në shekullin e 19-të u arrit përfaqësimi i interesave të fisit pranë Ibrahim Bushatit, viziri i Shkodrës. Titullin bylykbash e kishte një person me emrin Hasan Aga, 30 vjet, më pas nipi i tij e humbet këtë titull, si rezultat i një rebelimi të kotë. Me 1881 Hoti numronte 405 shtëpi me 2500 banorë, të përqëndruar kryesisht në shtatë fshatra dhe me sipërfaqe 120 km2, ndërsa në një dokument të vitit 1897 shënohen 500 shtëpi me 4500 banorë. Po në dokumentet e vitit 1897 shënohet se Hoti është i ndarë në dy bajraqe (flamuj): Bajraku i Hotit ose Rapshës, Bajraku i Traboinit, ose Kusha e Traboinit, që i përkisnin dy famullive të Rapshës dhe Brigjes së Traboinit.
Në kuvend të krejt Hotit, kishin kuvendin e Rapshës, dhe bajraktari nr. 1 ishte ai i Rapshës, Deli Meta (shënuar në një dokument të vitit 1918), e i Traboinit ishte bajraktar nga familja Nishi, por kryesori ishte një Deli Meta. Gjithashtu, Hoti në përfaqësimin e tij ligjor në Xhibalin e Shkodrës kishte vetëm një përfaqësues (bylykbash). Lufta e Hotit për liri e identitet nuk ka të sosur ndër shekuj si me dreqnit e stepave të Rusisë, shkjetë e Malit të Zi e Serbisë, ku viti 1878 është kulmi i saj, ku vetëm lufta këmbëngulëse e hotjanëve (edhe me malësorë të tjerë) bëri që vendimi i Kongresit të Berlinit të mbesë në letër për të mos i aneksuar Malit të Zi krahinat e Tuzit, Plavës e Gucisë. Ndërsa me pushtuesit anadollakë, kulmore mbet lufta e 1911, e cila me 6 prill të këtij viti çoi në ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Deçiç, pas 500 vjet robërie otomane.
Ndarja sipas traktatit të Shën Stefanit
Vlen për tu sqaruar se për kuvende të përbashkëta hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre, vjen viti i zi 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe Hotin, ku mjerisht kjo dhuratë ju bë shkjeve të Ballkanit, Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo ndarje në Europën e Re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për vendin e tyre, çfarë do të thotë, t'i dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913, është pjesë e komunës Kastrat e ata me krenari kujtojnë vargjet lapidarë të poetit kombëtar patër Gjergj Fishta:

A po i sheh ti njata burra,
Që kah brigja nëpër curra,
Tue hecë natën, porsi bisha,
Jan tuj ngjitun drejt kah kisha,
Ata janë po krenët e Hotit,
Që me u lidhë duan me besë të Zotit,
Për me i lanun nder Malësisë.

Në vitet e fundit të shkatërrimit të perandorisë Osmane, e ndante në mes vija e re kufitare e propozuar nga italianët, e që në histori është e njohur si vija e Kortit. Sipas kësaj vije pjesa veriore duhej të i takonte Malit të Zi ndërsa pjesa jugore të mbetej edhe më tutje pjesë Shqipnisë (nën administrimin e perandorisë Osmane). Për këtë qëllim, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit më 1 mars 1880 miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre. Fuqitë e Mëdha të kohës, në atë kohë i konsideronin si lojëra politike të Portës së Lartë kundërshtimet shqiptare dhe nuk i merrnin parasysh. Si rezultat i këtyre tre faktorëve d.m.th pakënaqësia e shqiptarëve, ambicionet e Malit të Zi dhe mendje lehtësia e Fuqive të Mëdha, vije deri tek shndërrimi i kësaj krahine në një arenë lufte. Kjo arenë e luftës në historinë shqiptare është e njohur si pjesë historisë së Lidhjes së Prizrenit e quajtur Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës.
Në mbledhjen e Podgoricës (2-4 shkurt 1911) do të vendoset që kryengritja do të fillojë me sigurimin e armës, afër Shën Gjergjit. Për të realizuar këtë mision nga ana e Komitetit angazhohen Nikollë Ivanaj (shkon në Itali) dhe profesor Gjergj Pekmezi (nga Pogradeci) në Vienë , por ajo filloi me parë me 24 mars me sulmin e një çetë të Hotit kundër kaushës turke në Brigje të Hotit. Të nesërmen malësorët sulmojnë kaushët ushtarako-policore në kufirin me Mal të Zi si janë Porokia, Lishahu, Qafë Bokrrine, Mergjes (Vrane) si edhe ato në starre, Arzë, Rranxë të Rrases, Pllanicë etj. Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deciç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911.
Gjatë kësaj kohe nga kjo krahinë dalin emra të njohur në historinë e përgjithshme shqiptare si dhe shprehja "Pushka e Hotit ndihma e Zotit".

KUSH DHE PSE E DENIGROJNE DED GJO LULIN?


Në kuadrin e 100 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe që filloi me 23 mars të vitit 1911 në Traboin të Hotit, kur Ded Gjo Luli lëshoi kushtrimin "Ja liri ja - vdekje!".

KUSH DHE PSE E DENIGROJNE DED GJO LULIN?

Z. President, z. Kryeministër, z. Kryetar i Bashkisë së Tiranës, lërëni për një çast politikën e pergjigjuni kësaj pyetje: Kur do të vihet busti i Ded Gjo Lulit në rrugën që mban emrin e tij, në qëndër të Tiranës prapa Muzeut Historik Kombëtar? Të atij Ded Gjo Luli që nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me mësimin e madh që për lirinë ia vlen çdo sakrificë. Eshte fjala për bustin e i atij kreshniku që një shekull më parë, ju priu malësorëve në beteja të përgjakura për liri, të cilat e kthyen Hotin e Malësinë e Madhe në Termopilet Shqiptare.

Shkruar nga K.P. TRABOINI

Demokracia na solli më mira, por edhe ndonjë e keqe gjen vend e nxjerr krye. Si fije bari që kërkojnë të çajnë shkëmbin. Kanë dalë ca tipa që kërkojnë të fillojnë "Intifadën" në mes të shqiptarëve më shqiptarë. Dhe në këtë program është dhe shkatërrimi i çdo lloj kujtese popullore që ka të bëjë me figurat kombëtare në rezistencë kundër pushtimit otoman. Ded Gjo Luli është njeri nga ata që po denigrohet më shumë se kushdo e në mënyrën më mizore. Të japësh jetën për këtë vend e ketë popull e të të quajnë tradhëtar e spiun kjo nuk ka vend ku të rrijë. Një prej argumenteve që ata sjellin në denigrimin e Ded Gjo Lulit është se ky e krerët e Malësisë kanë bashkëpunuar në vitin 1911 me Malin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Mirëpo këta sulmues qorra a Don Kishotë të kohës sonë harrojnë atë çfarë na mëson historia se kokat e mençura dinë të zgjedhin aleatë të përkohshëm për arritjen e qëllimeve kombëtare. Ded Gjo Luli përballë një ushtrie, që mund të konsiderohej më e madhja në Europë, se ishte perandori turke, në kushtet kur Hoti do të digjej e shkretohej, nuk kishte alternativë tjetër veç të largonte gra e fëmijë në shtetin fqinj e të lypte strehë të përkohshme, ndërsa burrat të gjithë qëndruan e luftuan në Hot. Dhe dihet se në çfarë sakrificash qëndruan gratë, fëmijët e pleqtë e Hotit duke fjetur poshtë një ure me ditë e netë të tëra në kushte urie e të ftohti veç të mos bëheshin pre e shpatës së mizorëve që sundonin me dorë të hekurt e vrisnin, digjnin e shkretonin çfarë t`u dilte përpara. Ku është tradhëtia këtu?! Tek sakrifica? Cili ishte qëllimi e ideali i atyre njerëzve që vuanin apo dhe atyre që luftonin që nga Ura e Rrjodhit, në Kastrat, Rapsh e deri në Tuz e në Mal të Hotit? Le të bëjmë një përqasje. A mund t`i quajmë tradhëtarë ata që për t`i shpëtuar regjimit komunist kaluan kufirin për Greqi dhe Jugosllavi? Kurrsesi! Tradhëtarë i quante diktatura. Po atëherë pse këta studiues të rinj të “Intifadës” ndërshqiptare nuk i sulmojnë e etiketojnë ata që arratiseshin nga Shqipëria? Kjo kope ekstremistësh fetarë që kanë kurajon të lehin edhe nëpër kanale televizive, nuk e kanë hallin se Ded Gjo Luli strehoi gratë e fëmijët e pleqtë në Podgoricë, por se burrat e Hotit, baballarët tanë luftuan kundër turqve osmanë dhe e bënë Shefqet Turgut Pashën qesharak përpara mbarë Europës ngase u thye nga një masë kryengritësish, që nuk e kishin idenë e artit ushtarak, nuk kishin shkuar nëpër shkolla ushtarake por dinin artin e të mbijetuarit edhe në kushtet më të vështira e në sakrificat më të mëdha. E pra ky Turgut Pasha e kishte bërë Akademinë Ushtarake në Europë. Ne nuk kemi pse i shmangemi këtij diskutimi për këtë aspekt të historisë, si hotjanë, bij të atyre që e bënë atë kryengritje që pararendi Pavarësinë e Shqipërisë, nuk kemi fare frikë e drojë, përkundrazi e bashkëbisedojmë haptazi për rrethanat që sollën që të parët tanë të përplasnin kokën në Mal të Zi që në të vërtetë jo shumë larg në histori kanë qenë troje arbërore, por mbetën jashtë për shkak të rrjedhës mizore historike që pësuam nëpër shekuj. Aq më tepër pranojmë ta prekim këtë aspekt sepse duke i anashkaluar, duke lënë paqartësi në epoka të shkuara, ato sjellin keqkuptime e për pasojë edhe keqinterpretime historike. Kush ka sadopak njohuri nga ngjarjet historike e di edhe faktin se në takimin me valiun turk të Shkodrës, Ded Gjo Luli nuk ju dha as një fjalë e as një shpresë, se trupat turke nuk do ta bënin ekspeditën për dorëzimin e armëve. Por armët Hoti nuk i kish dorëzuar për gati 500 vjet. Në sajë të armëve, brenda pushtimit, hotjanët kishin gjetur një hapësirë të vogël lirie aq sa ishte vetë gryka e pushkës. Por edhe atë kërkonin tua merrnin pushtuesit osmanë. Nuk ka qenë e lehtë të merrej një vendim. Nuk mund të qëndronte Hoti në shtëpitë e veta kur të vërshonin me mijëra trupa në një operacion ushtarak të dhunshëm e të përgjakur. Turgut Pasha kish deklaruar se do ta kthente Malësinë në shkreti nëse nuk do t`i dorëzonin armët. Nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç luftës. Ded Gjo Luli i tregoi popullit të vet rrezikun dhe e shpalli që nuk nënshtrohej. Kolona me familjet e Hotit, gra, fëmijë e pleq lanë shtëpitë e çanë kufirin turko-malazez. Deklaratat që u bënë ishin se malësorët nuk nënshtroheshin. Kishin lënë trojet, por atje ishin tërë burrat e Hotit që lëshuan kushtrimin dhe mbarë Malësia e Madhe u tregua e gatshme të rrëmbente armët e këmbë ushtari pushtues të mos shkelte në ato anë. Por, dihet se fryma luftarake nuk është gjithmonë ajo që të siguron fitoren. Për të luftuar duhen armë, e Hoti armë nuk kishte. Madje kish që shkonin në luftë me kmesa, një lloj spate doracakë që përdoret për të prerë e krasitur pemët. Eshtë krejt a natyrshme që Ded Gjol Luli të kërkonte ndihma në dy aspekte: bukë për populli dhe armë për luftetarët. Dhe kërkesën e ndihmave Ded Gjo Luli nuk ia ka bërë Malit të Zi, por perandorisë Austro Hungareze nëpërmjet konsullit të saj, e cila ishte për një Shqipëri të shkëputur nga sundimi i egër i Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria hyri dorëzanë e dha fjalën dhe deri diku e mbajti për të ndihmuar popullin me bukë e burrat me armë, por për shkak të largësisë, sigurisë, a diç tjetër, ndodhi kushtëzimi që ndihmat do të kanalizoheshin nëpërmjet Malit të Zi. Gjasat janë që Krajl Nikolla dhe qeveritarët e tij donin të kontrollonin situatën ose të përfitonin ndonjë gjë nga këto ndihma nëpermjet makinacioneve që mund të bëheshin, sepse ai merrte para tek Austria dhe jepte mall tek shqiptarët. Kjo lloj ndërmjetësie bënte që administrata e Malit të Zi ta kontrollonte gjendjen e malësorëve, çfarë në të vërtetë shprehte edhe një lloj frike të Cetinës prej zhvillimeve te pritshme. Mali i Zi nuk e tregoi qëllimin që në fillim dhe ishte dakort t`i ndihmonte malësorët, dhe për këtë ishte garant një fuqi e madhe e kohës si Austro-Hungaria, por kur plasi Lufta Ballkanike atëherë gjërat ndryshuan e Mali i Zi e tregoi qëllimin e vet. Por të mos harrojmë, do të ishte po Austro-Hungaria ajo që nuk do të lejonte që Shkodra të aneksohej nga Mali i Zi i cili donte me çdo kusht ta bënte atë kryeqytetin e vet. Duhet ta dimë se shkaku i vetëm që Krajl Nikolla e dorëzoi fronin ishte se nuk e bëri Shkodrën kryeqytet megjithëse e mbajti këtë qytet të rrethuar, duke e vënë nën zjarr armësh artilerie dhe duke i prerë çdo furnizim sa kriza e bukës bëri që shkodranët të vdisnin urie, por pa pranuar të dorëzoheshin. Do të ishte Esat Toptani, figura më e urryer në historinë e Shqipërisë që pasi eleminoi Hasan Riza Pashen komandantin e garnizonit dhe udhëheqësin e qëndresës njëkohësisht, do të merrte funksionet e tij dhe do të dorëzonte Shkodrën tek malazezët. Gjëja më e çuditshme në këtë aspekt të histerisë historike të atyre që denigrojnë Ded Gjo Lulin, është se ata e vlerësojnë si të ishte një hero Esat Toptanin apo një tjetër figurë të urryer, aventurierin Beqir Grebeneja. Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane e cila i kishte ngulur thonjtë në Ballkanin perëndimor afro 500 vjet, ndaj është e natyrshme që nuk mund të zbohej pa një aleancë shtetesh e popujsh për përzënien e ngordhësirës perandorake. Ded Gjo Luli kishte vizionin që të ngrihej ndër të parët, të kërkonte të armatosej, të kërkonte aleatë të përkohshëm për arritjen e krijimit të Shqipërisë, për të cilën ia vlente çdo sakrificë. Kur i është vrarë i biri, Gjergji në luftë dhe i prune lajmin e zi, Ded Gjo Luli me qetësinë që e karakterizonte tha: "Edhe ai djalë nane është!" Çfarë nënkuptonte se atij i dhimbnin njësoj si i biri Gjergji ashtu dhe Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, dy vllaznit Zeka e çdo djalë tjetër Hoti. Konkluzioni është se megjithë rrethanat e disfavorshme dhe të komplikuara në histori, Ded Gjo Luli ka qenë një hero i panjollë. Të jeni të bindur se sikur, në mënyrë imagjinative, të gjithë burrat e kombit të kohës së re të mblidheshin në një kuvend, do t`i lëshonin kryevendin Ded Gjo Lulit. Ismail Qemali doli nga zyra dhe e priti në rrugë Ded Gjo Lulin kur ky shkoi në Vlorë. E pyetën kush është ky malësor trupvogël që po të bën të dalësh nga zyra e ta presësh në rrugë, Ismail Qemali u tha: "Ded Gjo Luli është pushkë e ngrehun për Shqipërinë". Nëse tërë jeta e tij do të duhej të përshkruhej në dy rrjeshta do të thosha:Ded Gjo Luli nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me një mësim të madh, që për lirinë ia vlen çdo sakrificë.

© traboini 2010