Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj

ZHVILLIMI I LETËRSISË SHQIPE NË MAL TË ZI


Mr. RROK GJOLAJ
Këshillëtar në Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi

Abstrakt
Rrok Gjolaj
Letërsia shqipe që krijohet në Mal të Zi është pjesë përbërse e trungut kombëtar në krijimtarinë letrare në përgjithësi. Zhvillimi i letërsisë shqipe që krijohet në Mal të Zi, mund të thuhet se kryesisht u zhillua në gjysmën e dytë të shekulli XX. Fillimet e letërsisë në këtë rajon mund të kërkohen që nga vepra e parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut dhe do të vazhdojnë disa shekuj më vonë, pikërisht nga fundi i shekullit të XIX, me paraqitjen në skenën tonë letrare të rilindasve: Nikollë Ivanaj, Palokë Traboini etj. dhe të Hafiz Ali Ulqinakut (që vazhdoi të shkruajë në traditën e letërsisë së bejtexhinjëve).
Po theksojmë se në rrethin e Ulqinit u përkthye Bibla në gjuhën shqipe, për herë të parë në tërësi, nga dom Simon Filipaj,që u botua në Kosovë nga fundi i shekullit XX.
Letërsia shqipe në Mal të Zi, kryesisht krijohet në dy qendra kryesore: në Ulqin dhe në Malësi. Një grup autorësh që kanëlindur në Mal të Zi, krijimtarinë e tyre në
tërësi e kanë realizuar në Kosovë, siç janë: Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Anton Berishaj etj.Këta kanë arritur nivele të larta letraro-artistike në nivelin e letërsisë mbarëkombëtare. Një grup tjetër, krijimtarinë e vet e ka filluar në Mal të Zi dhe e vazhdon në diasporë, si në Zvicër, SHBA, Australi etj., siç janë: Nokë Sinishtaj, Lulash Palushaj, Mira Lekoçaj, Jaho Kollari etj., kurse në Shqipëri: Palokë Traboini, Gjokë Dabaj, Kolec Traboini ( sot në SHBA ) etj.
Zhanret letrare që u zhvilluan në letërsinë shqipe në Mal të Zi janë: proza, poezia, drama (më defiticitare). Në fushën e prozës u shkruan tregime, novela dhe romane. Në prozë figurat kryesore janë: Anton Gojçaj, Asllan Bisha, Fran Camaj, Anton Gjuravçaj etj., kurse në fushën e poezisë numri
është më i madh dhe shquhen këta autorë: Nol Berishaj, Haxhi Shabani, Ibrahim Berjashi, Anton Berishaj, Ferhat Dinosha, patër Pashko Gojçaj, Zef Gjuravçaj, Hajredin Kovaçi etj. Drama dhe llojet e saj në letërsinë e këtij rajoni është zhvilluar shumë pak.
Përfaqësues të shquar të kësaj gjinie janë: Ali Llunji dhe Shaban Osmanaj.
Mund të themi se krahas zhvillimit të letërsisë, po zhvillohet edhe studimi i saj. Kjo bëhet në formë kritikash, vështimesh ose përmbledhje të studimeve të botuara në libra të veçantë etj. Në këtë drejtim shquhen: Anton Gojçaj, Ruzhdi Ushaku, Fran Camaj, Dimitrov Popoviq, Hajro Ulqinaku, Pjetër Dreshaj etj.
Gjatë kësaj periudhe të zhvillimit të letërsisë sonë iu kushtua një kujdes i veçantë edhe mbledhjes, botimit dhe studimit të letërsisë popullore. Në këtë drejtim shquhen patër Vinçenc Malaj, dom Simon Filipaj, mr. Ismail Doda, mr. Ali M. Ahmeti, pater Zef Jankaj, patër Kolë Berishaj, dr. Bahri Brisku, dr. Pjeter Gjuravçaj, Gjergj Hasanaj etj.
Kohëve të fundit, hov të madh ka marrë edhe përkthimi i veprave të krijuasve tanë në gjuhën malazeze ose përkthimi i disa autorve nga letërsia malazeze në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim shquhen: Qazim Muja, Hajro Ulqinaku, Zarija Brajoviq, Gjergj Gjokaj, Pjetër Dreshaj, Dimitrov  Popoviq,Diana Rexha, Anton Berishaj, Anton Gojçaj, Pjeter Lucaj etj.

Nga “Libri i Abstrakteve”  nga Konferenca vjetore e shkencës” Java e Shkencës 2013”.
Prishtinë 2013., f. 227

HOTI - veshtrim historik




Hoti është zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare dhe tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me "Certi Hocti" (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali. Malet më të njohura në këtë zonë janë, Bukoviqi dhe Cemeri. Objekt fetarë më i rëndësishëm është kisha në Brigje të Hotit.
Në të kaluarën ilire kjo zonë ishte e pjesë e "Maleve të Labeatëve" (mons labeatis). Me pushtimet romake bie nën administrimin e vendasve (në varësi romake). Shënohen edhe rebelët me Balshaj rreth fillimeve të shek. XV (Balshajt ishin kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e taksa). Me 1415, këta "rebelë" gjetën strehim pranë Venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan edhe me të holla. Në vitin 1416 shënohet se një Andrea "Otto" (Andrea i tetë) emrohet kapiteni i vetëm i maleve, e se kjo i dhurohej e gjitha Venecias, meqense hotjanët ishin prishur përfundimisht me Balshajt. Në vitin 1417 gjinden emërtime të ndryshme si "Otto" ose "De Hottis". Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet për luftë guerilase kundër princërve të Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit. Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës së lartë (superiore) me inisiativën e Stefano Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vehte me një kryetar, emrua pastaj Vojvodë, i cili është në bashkëpunim me Venecien. Pak më vonë, ka një emigrim në Siçili, ku përkon me pushtimin turk, ndoshta për t'u shpëtuar reprezaljeve. Edhe sot në Siçili (Itali) gjinden rradhë mbiemra Hoti. Me 1479 kur sulltan ishte Muhamedi i dyte (1451-1481) Perandoria Osmane e pushton malësinë dhe nga kjo zonë formon nahien e Hotit. Nën pushtimin osmanë popullsia e prirë nga feudalët zhvillojnë disa kryengritje e luftëra ndër vitet: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869[1]. Ripopullimi i Hotit është bërë pas vitit 1500, si vit shënohet viti 1520 ku Geg Lazri, i biri i Lazër Keqit, i ardhur nga Bosnja (natyrisht tokë dikur ilire që flisnin shqip) u vendos në mes dy njerëzve vendas që gjeti në Hot. Familja e Geg Lazrit u shtua aq shumë, sa shumica e popullsisë së Hotit kanë për trung Gegë Lazrin. Ndërsa autoktonët, dy banorët që u gjetën në vitin 1520 gjinden në Loknikaj e Koje, ku në vitin 1911 numronin 12 shtëpi, që martoheshin me Hotin Tjetër, ndërsa Hoti në mes vehtes jo. (Duhet sqaruar se Lazër Keqi pati edhe tre djem të tjerë, Piper Lazri, Vaso Lazri, Krasni Lazri, nga ku kanë origjinën fiset e Piperit dhe Vasojeviqit, të sllavizuar tani, ndërsa Krasniqja e sotme rrjedh nga Krasni Lazri (shqiptare, por i myslimanizuar.) Në vitin 1610, 1614 shënohet se Hotët kishin 212 shtëpi me 600 burra të aftë për armë. Me 1635 - 220 shtëpi me 1100 frymë. Emërtimin Hot e gjejmë edhe në dokumentet e viteve 1671, 1688, 1689, e të gjithë katolikë, çfarë tregon për qëndresën e pashoqe ndaj pushtimit osman. Vetëm në dokumente të shekullit të 19-të gjen pak familje, që kishin kaluar në fenë islame (shpesh kjo vetëm për t'i shpëtuar reprezaljeve osmane, madje kishin dy emra në qeveri mysliman, e shoqëri katolik). Pikërisht në shekullin e 19-të u arrit përfaqësimi i interesave të fisit pranë Ibrahim Bushatit, viziri i Shkodrës. Titullin bylykbash e kishte një person me emrin Hasan Aga, 30 vjet, më pas nipi i tij e humbet këtë titull, si rezultat i një rebelimi të kotë. Me 1881 Hoti numronte 405 shtëpi me 2500 banorë, të përqëndruar kryesisht në shtatë fshatra dhe me sipërfaqe 120 km2, ndërsa në një dokument të vitit 1897 shënohen 500 shtëpi me 4500 banorë. Po në dokumentet e vitit 1897 shënohet se Hoti është i ndarë në dy bajraqe (flamuj): Bajraku i Hotit ose Rapshës, Bajraku i Traboinit, ose Kusha e Traboinit, që i përkisnin dy famullive të Rapshës dhe Brigjes së Traboinit.
Në kuvend të krejt Hotit, kishin kuvendin e Rapshës, dhe bajraktari nr. 1 ishte ai i Rapshës, Deli Meta (shënuar në një dokument të vitit 1918), e i Traboinit ishte bajraktar nga familja Nishi, por kryesori ishte një Deli Meta. Gjithashtu, Hoti në përfaqësimin e tij ligjor në Xhibalin e Shkodrës kishte vetëm një përfaqësues (bylykbash). Lufta e Hotit për liri e identitet nuk ka të sosur ndër shekuj si me dreqnit e stepave të Rusisë, shkjetë e Malit të Zi e Serbisë, ku viti 1878 është kulmi i saj, ku vetëm lufta këmbëngulëse e hotjanëve (edhe me malësorë të tjerë) bëri që vendimi i Kongresit të Berlinit të mbesë në letër për të mos i aneksuar Malit të Zi krahinat e Tuzit, Plavës e Gucisë. Ndërsa me pushtuesit anadollakë, kulmore mbet lufta e 1911, e cila me 6 prill të këtij viti çoi në ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Deçiç, pas 500 vjet robërie otomane.
Ndarja sipas traktatit të Shën Stefanit
Vlen për tu sqaruar se për kuvende të përbashkëta hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre, vjen viti i zi 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe Hotin, ku mjerisht kjo dhuratë ju bë shkjeve të Ballkanit, Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo ndarje në Europën e Re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për vendin e tyre, çfarë do të thotë, t'i dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913, është pjesë e komunës Kastrat e ata me krenari kujtojnë vargjet lapidarë të poetit kombëtar patër Gjergj Fishta:

A po i sheh ti njata burra,
Që kah brigja nëpër curra,
Tue hecë natën, porsi bisha,
Jan tuj ngjitun drejt kah kisha,
Ata janë po krenët e Hotit,
Që me u lidhë duan me besë të Zotit,
Për me i lanun nder Malësisë.

Në vitet e fundit të shkatërrimit të perandorisë Osmane, e ndante në mes vija e re kufitare e propozuar nga italianët, e që në histori është e njohur si vija e Kortit. Sipas kësaj vije pjesa veriore duhej të i takonte Malit të Zi ndërsa pjesa jugore të mbetej edhe më tutje pjesë Shqipnisë (nën administrimin e perandorisë Osmane). Për këtë qëllim, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit më 1 mars 1880 miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre. Fuqitë e Mëdha të kohës, në atë kohë i konsideronin si lojëra politike të Portës së Lartë kundërshtimet shqiptare dhe nuk i merrnin parasysh. Si rezultat i këtyre tre faktorëve d.m.th pakënaqësia e shqiptarëve, ambicionet e Malit të Zi dhe mendje lehtësia e Fuqive të Mëdha, vije deri tek shndërrimi i kësaj krahine në një arenë lufte. Kjo arenë e luftës në historinë shqiptare është e njohur si pjesë historisë së Lidhjes së Prizrenit e quajtur Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës.
Në mbledhjen e Podgoricës (2-4 shkurt 1911) do të vendoset që kryengritja do të fillojë me sigurimin e armës, afër Shën Gjergjit. Për të realizuar këtë mision nga ana e Komitetit angazhohen Nikollë Ivanaj (shkon në Itali) dhe profesor Gjergj Pekmezi (nga Pogradeci) në Vienë , por ajo filloi me parë me 24 mars me sulmin e një çetë të Hotit kundër kaushës turke në Brigje të Hotit. Të nesërmen malësorët sulmojnë kaushët ushtarako-policore në kufirin me Mal të Zi si janë Porokia, Lishahu, Qafë Bokrrine, Mergjes (Vrane) si edhe ato në starre, Arzë, Rranxë të Rrases, Pllanicë etj. Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deciç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911.
Gjatë kësaj kohe nga kjo krahinë dalin emra të njohur në historinë e përgjithshme shqiptare si dhe shprehja "Pushka e Hotit ndihma e Zotit".

KUSH DHE PSE E DENIGROJNE DED GJO LULIN?


Në kuadrin e 100 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe që filloi me 23 mars të vitit 1911 në Traboin të Hotit, kur Ded Gjo Luli lëshoi kushtrimin "Ja liri ja - vdekje!".

KUSH DHE PSE E DENIGROJNE DED GJO LULIN?

Z. President, z. Kryeministër, z. Kryetar i Bashkisë së Tiranës, lërëni për një çast politikën e pergjigjuni kësaj pyetje: Kur do të vihet busti i Ded Gjo Lulit në rrugën që mban emrin e tij, në qëndër të Tiranës prapa Muzeut Historik Kombëtar? Të atij Ded Gjo Luli që nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me mësimin e madh që për lirinë ia vlen çdo sakrificë. Eshte fjala për bustin e i atij kreshniku që një shekull më parë, ju priu malësorëve në beteja të përgjakura për liri, të cilat e kthyen Hotin e Malësinë e Madhe në Termopilet Shqiptare.

Shkruar nga K.P. TRABOINI

Demokracia na solli më mira, por edhe ndonjë e keqe gjen vend e nxjerr krye. Si fije bari që kërkojnë të çajnë shkëmbin. Kanë dalë ca tipa që kërkojnë të fillojnë "Intifadën" në mes të shqiptarëve më shqiptarë. Dhe në këtë program është dhe shkatërrimi i çdo lloj kujtese popullore që ka të bëjë me figurat kombëtare në rezistencë kundër pushtimit otoman. Ded Gjo Luli është njeri nga ata që po denigrohet më shumë se kushdo e në mënyrën më mizore. Të japësh jetën për këtë vend e ketë popull e të të quajnë tradhëtar e spiun kjo nuk ka vend ku të rrijë. Një prej argumenteve që ata sjellin në denigrimin e Ded Gjo Lulit është se ky e krerët e Malësisë kanë bashkëpunuar në vitin 1911 me Malin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Mirëpo këta sulmues qorra a Don Kishotë të kohës sonë harrojnë atë çfarë na mëson historia se kokat e mençura dinë të zgjedhin aleatë të përkohshëm për arritjen e qëllimeve kombëtare. Ded Gjo Luli përballë një ushtrie, që mund të konsiderohej më e madhja në Europë, se ishte perandori turke, në kushtet kur Hoti do të digjej e shkretohej, nuk kishte alternativë tjetër veç të largonte gra e fëmijë në shtetin fqinj e të lypte strehë të përkohshme, ndërsa burrat të gjithë qëndruan e luftuan në Hot. Dhe dihet se në çfarë sakrificash qëndruan gratë, fëmijët e pleqtë e Hotit duke fjetur poshtë një ure me ditë e netë të tëra në kushte urie e të ftohti veç të mos bëheshin pre e shpatës së mizorëve që sundonin me dorë të hekurt e vrisnin, digjnin e shkretonin çfarë t`u dilte përpara. Ku është tradhëtia këtu?! Tek sakrifica? Cili ishte qëllimi e ideali i atyre njerëzve që vuanin apo dhe atyre që luftonin që nga Ura e Rrjodhit, në Kastrat, Rapsh e deri në Tuz e në Mal të Hotit? Le të bëjmë një përqasje. A mund t`i quajmë tradhëtarë ata që për t`i shpëtuar regjimit komunist kaluan kufirin për Greqi dhe Jugosllavi? Kurrsesi! Tradhëtarë i quante diktatura. Po atëherë pse këta studiues të rinj të “Intifadës” ndërshqiptare nuk i sulmojnë e etiketojnë ata që arratiseshin nga Shqipëria? Kjo kope ekstremistësh fetarë që kanë kurajon të lehin edhe nëpër kanale televizive, nuk e kanë hallin se Ded Gjo Luli strehoi gratë e fëmijët e pleqtë në Podgoricë, por se burrat e Hotit, baballarët tanë luftuan kundër turqve osmanë dhe e bënë Shefqet Turgut Pashën qesharak përpara mbarë Europës ngase u thye nga një masë kryengritësish, që nuk e kishin idenë e artit ushtarak, nuk kishin shkuar nëpër shkolla ushtarake por dinin artin e të mbijetuarit edhe në kushtet më të vështira e në sakrificat më të mëdha. E pra ky Turgut Pasha e kishte bërë Akademinë Ushtarake në Europë. Ne nuk kemi pse i shmangemi këtij diskutimi për këtë aspekt të historisë, si hotjanë, bij të atyre që e bënë atë kryengritje që pararendi Pavarësinë e Shqipërisë, nuk kemi fare frikë e drojë, përkundrazi e bashkëbisedojmë haptazi për rrethanat që sollën që të parët tanë të përplasnin kokën në Mal të Zi që në të vërtetë jo shumë larg në histori kanë qenë troje arbërore, por mbetën jashtë për shkak të rrjedhës mizore historike që pësuam nëpër shekuj. Aq më tepër pranojmë ta prekim këtë aspekt sepse duke i anashkaluar, duke lënë paqartësi në epoka të shkuara, ato sjellin keqkuptime e për pasojë edhe keqinterpretime historike. Kush ka sadopak njohuri nga ngjarjet historike e di edhe faktin se në takimin me valiun turk të Shkodrës, Ded Gjo Luli nuk ju dha as një fjalë e as një shpresë, se trupat turke nuk do ta bënin ekspeditën për dorëzimin e armëve. Por armët Hoti nuk i kish dorëzuar për gati 500 vjet. Në sajë të armëve, brenda pushtimit, hotjanët kishin gjetur një hapësirë të vogël lirie aq sa ishte vetë gryka e pushkës. Por edhe atë kërkonin tua merrnin pushtuesit osmanë. Nuk ka qenë e lehtë të merrej një vendim. Nuk mund të qëndronte Hoti në shtëpitë e veta kur të vërshonin me mijëra trupa në një operacion ushtarak të dhunshëm e të përgjakur. Turgut Pasha kish deklaruar se do ta kthente Malësinë në shkreti nëse nuk do t`i dorëzonin armët. Nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç luftës. Ded Gjo Luli i tregoi popullit të vet rrezikun dhe e shpalli që nuk nënshtrohej. Kolona me familjet e Hotit, gra, fëmijë e pleq lanë shtëpitë e çanë kufirin turko-malazez. Deklaratat që u bënë ishin se malësorët nuk nënshtroheshin. Kishin lënë trojet, por atje ishin tërë burrat e Hotit që lëshuan kushtrimin dhe mbarë Malësia e Madhe u tregua e gatshme të rrëmbente armët e këmbë ushtari pushtues të mos shkelte në ato anë. Por, dihet se fryma luftarake nuk është gjithmonë ajo që të siguron fitoren. Për të luftuar duhen armë, e Hoti armë nuk kishte. Madje kish që shkonin në luftë me kmesa, një lloj spate doracakë që përdoret për të prerë e krasitur pemët. Eshtë krejt a natyrshme që Ded Gjol Luli të kërkonte ndihma në dy aspekte: bukë për populli dhe armë për luftetarët. Dhe kërkesën e ndihmave Ded Gjo Luli nuk ia ka bërë Malit të Zi, por perandorisë Austro Hungareze nëpërmjet konsullit të saj, e cila ishte për një Shqipëri të shkëputur nga sundimi i egër i Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria hyri dorëzanë e dha fjalën dhe deri diku e mbajti për të ndihmuar popullin me bukë e burrat me armë, por për shkak të largësisë, sigurisë, a diç tjetër, ndodhi kushtëzimi që ndihmat do të kanalizoheshin nëpërmjet Malit të Zi. Gjasat janë që Krajl Nikolla dhe qeveritarët e tij donin të kontrollonin situatën ose të përfitonin ndonjë gjë nga këto ndihma nëpermjet makinacioneve që mund të bëheshin, sepse ai merrte para tek Austria dhe jepte mall tek shqiptarët. Kjo lloj ndërmjetësie bënte që administrata e Malit të Zi ta kontrollonte gjendjen e malësorëve, çfarë në të vërtetë shprehte edhe një lloj frike të Cetinës prej zhvillimeve te pritshme. Mali i Zi nuk e tregoi qëllimin që në fillim dhe ishte dakort t`i ndihmonte malësorët, dhe për këtë ishte garant një fuqi e madhe e kohës si Austro-Hungaria, por kur plasi Lufta Ballkanike atëherë gjërat ndryshuan e Mali i Zi e tregoi qëllimin e vet. Por të mos harrojmë, do të ishte po Austro-Hungaria ajo që nuk do të lejonte që Shkodra të aneksohej nga Mali i Zi i cili donte me çdo kusht ta bënte atë kryeqytetin e vet. Duhet ta dimë se shkaku i vetëm që Krajl Nikolla e dorëzoi fronin ishte se nuk e bëri Shkodrën kryeqytet megjithëse e mbajti këtë qytet të rrethuar, duke e vënë nën zjarr armësh artilerie dhe duke i prerë çdo furnizim sa kriza e bukës bëri që shkodranët të vdisnin urie, por pa pranuar të dorëzoheshin. Do të ishte Esat Toptani, figura më e urryer në historinë e Shqipërisë që pasi eleminoi Hasan Riza Pashen komandantin e garnizonit dhe udhëheqësin e qëndresës njëkohësisht, do të merrte funksionet e tij dhe do të dorëzonte Shkodrën tek malazezët. Gjëja më e çuditshme në këtë aspekt të histerisë historike të atyre që denigrojnë Ded Gjo Lulin, është se ata e vlerësojnë si të ishte një hero Esat Toptanin apo një tjetër figurë të urryer, aventurierin Beqir Grebeneja. Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane e cila i kishte ngulur thonjtë në Ballkanin perëndimor afro 500 vjet, ndaj është e natyrshme që nuk mund të zbohej pa një aleancë shtetesh e popujsh për përzënien e ngordhësirës perandorake. Ded Gjo Luli kishte vizionin që të ngrihej ndër të parët, të kërkonte të armatosej, të kërkonte aleatë të përkohshëm për arritjen e krijimit të Shqipërisë, për të cilën ia vlente çdo sakrificë. Kur i është vrarë i biri, Gjergji në luftë dhe i prune lajmin e zi, Ded Gjo Luli me qetësinë që e karakterizonte tha: "Edhe ai djalë nane është!" Çfarë nënkuptonte se atij i dhimbnin njësoj si i biri Gjergji ashtu dhe Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, dy vllaznit Zeka e çdo djalë tjetër Hoti. Konkluzioni është se megjithë rrethanat e disfavorshme dhe të komplikuara në histori, Ded Gjo Luli ka qenë një hero i panjollë. Të jeni të bindur se sikur, në mënyrë imagjinative, të gjithë burrat e kombit të kohës së re të mblidheshin në një kuvend, do t`i lëshonin kryevendin Ded Gjo Lulit. Ismail Qemali doli nga zyra dhe e priti në rrugë Ded Gjo Lulin kur ky shkoi në Vlorë. E pyetën kush është ky malësor trupvogël që po të bën të dalësh nga zyra e ta presësh në rrugë, Ismail Qemali u tha: "Ded Gjo Luli është pushkë e ngrehun për Shqipërinë". Nëse tërë jeta e tij do të duhej të përshkruhej në dy rrjeshta do të thosha:Ded Gjo Luli nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me një mësim të madh, që për lirinë ia vlen çdo sakrificë.

© traboini 2010

DED GJO LULI- PUSHKË E NGREHUN PËR SHQIPËRINË

DED GJO LULI- PUSHKË E NGREHUN PËR SHQIPËRINË

Shkruar nga Dalip Greca
Gazeta shqiptaro-amerikane"Illyria" New York, USA

Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, Ismail bej Vlorës, i cili e kishte përcjellë Dedë Gjo
Lulin vetë deri tek dera,- pse i batë aq nderime këtij katundari malëcor?, ai i qe pergjigjur:
- Dedë Gjo' Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Dhe ashtu mbeti, deri në çastin e fundit, në moshën 75 vjeçare, kur i organizuan kurthin në
Orosh. Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëruan miqtë që të mos
udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vënd të
prijësëve, i doli përpara kapiteni serb, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin: -
paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me pesë mirditorët,
nuk e lëshoi veten. Trupin e tij e gjetën pas dy javësh dhe e varrosën në kishën e Oroshit.
Për të kuptuar përmasat e figurës së Dedë Gjo' Lulit, për të prekur simbolin e mburojës
kombëtare, mjafton të sjellim për lexuesit vargjet e shkruara më 1913 nga poeti dhe
studiuesi Risto Siliqi:

Ah, Qe prap don' t'na dajnë copa!
Prap mendimi i parë asht ngjallë!
Por ta marrë vesh gjithë Evropa:
Dedë Gjo' Luli prap asht gjallë!

Falë trimërisë së malësorëve, fqinjët ishin zmbrapsur nga trojet tona përmes pushkëve që
mbaheshin në krah. Dedë Gjo' Luli me djemtë e Hotit e kishin ngritë Flamurin e
Skënderbeut, shumë më heret se sa në Vlorë. Madje në fund të marsit - fillim të prillit, ai
gatit për ta shpalos për të dytën herë mbi Deçiç. Palokë Traboini, që më 1911 kishte sjellë
tre flamujë prej Vjene; njërin ia kishte dorëzuar Dedë Gjo Lulit, të dytin Ujkës së Grudës e
të tretin Prel Lucës së Trieshit. Në librin "Lufta për çlirim kombëtar" të P. Pepos, kjo
ngjarje është përcjellë me emocion: "Ditën e dielë, më 6 prill 1912 u mblodh popull i madh
të kisha e Traboinit, Kol Ded Gjoni me urdhën t'tet, Dedë Gjo' Lulit, e hapi flamurin kuq e
zi. U ba nji rreth i madh njerzish e Kola tha: "Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i
Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena". Të gjithë ndenjën pa za. Mandej u ba një
batare pushkësh e ushtuen malet për rreth. Hare ma të madhe s'ishte pa ndonjëherë ndër
Hot..."
Ndersa mësuesi, poeti dhe luftëtari i lirisë, Palok Traboini, çastin e sjelljes së
flamurit e ka perjetësuar në vargje:

Tue krisë pushka shpat e n'shpat
Një djalë Hoti vjen prej larg
Pa pikë frymë prej Dalmacisë
Ded Gjo Luli ku e ka nisë
Me pru flamurin e Shqipnisë.

Dedë Gjo' Luli duket se kishte lind me pushkë, (Jo vetëm pse lindja e djalit u përcoll
me batare pushkësh) por prova e parë trimërisë së tij përcaktohet pjesëmarrja në
betejen, që u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës. Atëherë nuk ishte më shumë se 21
vjeç. Epopeja që shkroi trimi Oso Kuka në Vraninë, i cili pasi luftoi deri në fymën e
fundit kundër malazezve, nuk u dorzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. U
shkrumbëzua dhe la pas këngën - epope të trimave, këngë që mbajti gjallë jo vetem
emrin e trimit, por dhe vetë historinë e shkruar përmes vargjesh që rapsodët thurën
për trimat. Epopeja që shkroi Oso Kuka, i mëkoi trimat e Dedë Gjo Lulit me më
shumë atdhedashuri,- u përcolli në ashtën trimërore malësorëve më shumë ndjesi
vetmohimi për komb e atdhe. Ndër luftëtarët që i kishin ardhë në ndihmë Vraninës,
binin në sy shumë hotianë dhe malsorë të Grudës, ndër ta dhe djaloshi 21 vjeçar
Dedë Gjo' Luli. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij (P.Doçi) si dita e pagëzimit
në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emer prijësit të ardhshëm të maleve. Ai
lufoi si titan kundër malazezëve dhe emrin do t’ia përmendinin për shumë kohë ndër
ato anë. Trimi kishte treguar zotësi, urtësi dhe shkathtësi në luftën ballë për ballë
me armikun. Dhe që nga ajo ditë, kur dëgjoheshin lajme lufte, malësorët thërrisnin:
hej të lumtë pushka, Dedë Gjo' Luli! Ku kërciste pushka për "komb" e "Shqipni" në
krye ishte ai, trimi i Gjo' Lulëve. Në të gjithë malësinë e Shqipërisë së Veriut, Hoti
ishte bajrak me emër, bajrak i parë, prandaj ai përfaqësohej në të gjithë kuvendet.
Edhe në Lidhjen e Prizrenit, Hoti pati përfaqësuesit e vet, mes tyre ishte dhe prijësi i
ardhshëm Dedë Gjo' Luli, i cili ende nuk ishtë bërë aq i njohur, por pushka i ishte
ndjerë. Pjesmarrja e tij ne Kuvendin e Lidhjes, ballafaqimi me patriotet e medhenj te
Rilindjes, te penës dhe pushkës, ishte më shumë se një shkollë për rrugën e vështirë
nëpër të cilën do të ecte trimi i maleve, nën hijen e pandashme të pushkës. Pas
Kuvendit ai do të ishte i kudogjendur në mbrojtje të trojeve kombëtare. Vihet në
vijën e parë të frontit kundër malazezëve, të cilët kërkonin të zaptonin e shkëpusnin
copa nga trungu i memëdheut. Lufta po e piqte djaloshin e Hotit. Ai ishte jo vetem në
krye të luftimeve, por edhe përkrah lëvizjeve diplomatike të kohës. Ishte mes atyre
që u kërkonin konsujve europiane në Shkodër, të respektoheshin të drejtat e
shqiptarëve që jetonin në trojet e të parëve të tyre. Në letrat që malësorët i drejtonin
konsujve, e bënin të qartë betimin se asnjë copë tokë nuk do të lëshonin pa luftë. Në
letrën që iu çua i ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin:
"...Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtesi që nuk e besojmë, do të ndodhin
medoemos gjana të papëlqyeshme..." Në letër malësorët përcjellin mendimin e tyre
se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e
Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand. Me 4 prill një tjetër
letër u është drejtuar konsujve në Shkodër. "Na dëshirojmë me jetue e me gëzue
lirinë për të cilën jemi kryenaltë; na nuk kishim ndejë pa kundërshtue, cilindo qoftë
për ndërrimin e fatit tonë. Prandaj kemi vendose me derdhë pikën e fundit të gjakut
tonë para se me hy në zgjedhën e huej. Ideja kombëtare na bashkon për mbrojtjen e
Atdheut tonë..." Por dukej se Evropën nuk e linin këmborët e fqinjëve tanë, që të
dëgjonte zilet e shqiptarëve. Pazarllëqet ishin bërë me kohë. Sidoqoftë shqiptarët
pushkët i mbanin ngrehur, gishtin në çark. Deda ishte si gjithmonë në krye të
luftëtarëve. Ai dha një kontribut të çmuar për mirëkuptimin e prijësve shqiptarë,
mes të cilëve nuk mungonin dhe grindjet. Kronistët kanë shkruar se ai u priu forcave
shqiptare, që pritën me pushkë ushtrinë e madhe të Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte
Vojvoda Mark Milani. Deda në krye të 18 trimave të zgjedhur prej Hotit dhe Grudës,
ishte shkëputur dhe doli përpara tek ura e Rrzhanicës. Këmbë serbi nuk e kaloi urën.
Ushtria e Knjazit u kthye mbrapsht, duke mos u mbuluar me lavdinë e fitores së
munguar, ndërsa malsorët shkruan një faqe tjetër të ndritur në historint e
Shqipërisë. Dedë Gjo' Luli kishte kaluar me sukses një provë tjetër. Pas thyerjes së
Lidhjes, shumë luftëtarë nuk i ulën armët.
Valiu i Shkodrës nuk i ndërpreu përpjekjet e tij për të futur nën sundim me ligjet e
Turqisë malësorët. Përveç dëshmive dhe kronikave të përcjella, nga shtypi i kohës,
përsëri na vjen në ndihmë Palokë Traboini me poemen "Lufta e maleve ", i cili jep
përmasat e figurës shumë popullore, Dedë Gjo Luli:

Kjo malsia kur ndigjoji
Dedë Gjo Lulit fjalë i çoi,
Çoi me e thirrë e me e pyet'

Dhe kështu ndodhi. Ai mbeti tërë jetën me pushkën krahut. Ashtu siç luftoi pa e njohur
kompromisin me pushtuesin turq me 1911, ku ai spikat si një ndër figurat kyç të
kryengritjes, po ashtu kishte luftuar dhe kundër malezezëve me 1880-1881. Ai ishte
mjeshtër i rrallë i shfrytëzimit të terrenit që e njihte me pëllëmbë dhe asnjëhere nuk u korit
përballë armikut. Në këngët e popullit është gdhëndur si një hero legjendar, që mundi dhe
gjeneralin me akademi Shefqet Turgut Pashën, i cili në krye të katër divizioneve, 16
batalione, msyni malet. Gjenerali që qe shprehur se Ballkani ishte i vogël për me provue
aftësitë ushtarake, do të ndjehej i poshtëruar nga sfida që i bënë 3500 shqiptarë të
armatosur me ca pushkë të vjetra, të cilët vertetë e humbën në fillim orientimin, se viheshin
për herë të parë përballë mitralozëve që përdornin turqit, por shpejt do ta bënin gjeneralin
që të kthehej me turp. Të njëjtën sfidë do t’i rezervonin trimat edhe Abdulla Pashës.
E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një
familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në ëmër të Atdheut.
Kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli, ai që më 6 prill 1911 kishte hedhe
për tokë flamurin me gjysëm hënë, Deda do ta ndjente shtypjen e zermës prej dhimbjës.
Por ai nuk do ta jepte veten as kur i dhanë gjëmën e rënies së të birit, Gjergjit, 22 vjeçar.
Në betejen e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t'ia jepnin lajmin Dedës,
për të mos e lënduar, i thanë:
- Dedë, kanë mbetë 20 hotianë në fushë të luftës.
- Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai.
- Po mbeti dhe djali yt, Gjergji.
- Po dhe ai djal nane ishte, qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.
Pas tre vjetësh do të vritej vetë Deda, shtator 1915. Djali tjetër, krahu i djathtë i tij ndër
beteja, Kola, do të jepte shpirt tre vjet pas të atit, me 1918, i helmuar. Më 1920, në
verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i
djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne,
Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë
listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.
Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetmohimin e familjes Gjo' Luli. Në maj të vitit 1923, me
përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej
Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.
Mitingu i përmortshëm i përcjellë nga i shtypi i kohës ishte i jashtëzakonshëm.
Shkodra nderonte ata që gjakun nuk e kishin sakrifikuar për Atdhe. Në gazetën "Ora e
Maleve", (Viti 1923, nr. përcillen fjalët e Gjok' Lulit: ”Të falem nderës, moj Shkodër... Por
ma tepër të falen nderës edhe gurt e Hotit. Nuk e kam besue se i dini këto punë e pasha
këto eshtna që kena përpara edhe sa mashkuj, që të kenë pesëqind shtëpi në Hot kanë me
dekë për Shqipni!”
Ndërsa deputetët shkodranë nga Tirana nisen telegramin: "Bashkohemi me evari në
nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo' Lulit, tue krye detyrën e
mirënjohtësisë ndaj Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se
Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi na
zevëndësoni në ceremoni." Ceremoninë e përshëndetën edhe shumë shkodranë që jetonin
në Tiranë.
Në një telegram të tyre shkruhej: "Ditën kur Shkodra kryen detyrën ndaj Dedë Gjo' Lulit,
që gjithë jetën ja kushtoi atdheut dhe ushqeu në gjak lirinë, zemrat tona rrahin përnjëherë
me ato të bashkëqytetaseve tanë të bashkuem në vorrin e nderimit për Fatosin e Malëcisë
së Madhe." Edhe ky telegram është i botuar në gazetën "Ora e Maleve".
Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe "Komiteti Dedë Gjo' Luli", që do t'i ngrinte një
monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e
Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: "...due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy
inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë
botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo' Luli..."
Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: "Gëzohem që u muar
inisiativa për t'i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që
kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni
emëruar si pjesëtar nderi."
Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: "Sot pa farë dyshimi
mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike...
që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben
nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo' Lulit, i cili nuk triumfoi me
kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojne edhe krepat e thepishme të maleve
tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare" (Ora e Malësisë, nr. 20, viti 1923).
... Dhe emri i tij u gdhënd në histori përjetësisht. Fundi i tij ka mbetur sfidë atyre që i
morën jetën. Një rapsod mirditor e ka fiksuar në vargje fundin e kreshnikut të maleve:

Në Bjeshkë t'Oroshit na u derdh zani
Se ç’ban m'ne serbjani.
Si ata trimat i kanë rrethue
Me vargoj na i kanë shtrëngue.
Zana e malit t'jam ankue
Curril gjaku a' tue shkue.
Mu në Shëshëz burrit t'botës
Pa iu trëmb qerpiku i lotës
Serbi thikën i ngul në krahnuer
Dedë Gjo' Luli' burrë malëcuer
S'u përkul as nuk u tut
Por po i thotë këto fjalë açik:
Gjaku em të të shkojë fli
Për me pshtue të ngraten Shqypni..
.
Jemi në mars, fillimin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila çoi në Pavarësinë e
Shqipërisë. Përkrah trimave e shumë martirëvë të asaj kryengritjë nderohet dhe emri i
prijësit, Ded Gjo’ Luli.

DEDË GJO’ LULI - nga Fritz Radovani

FRITZ RADOVANI
DEDË GJO’ LULI


Herojve të pavdekshëm... por... dhe... pa vorre..!
Ua kushton Autori.
Melbourne, Mars 2011.



DEDË GJO’ LULI

Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”... Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund...ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”...e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari. Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir...nuk ua pat tërheqë synin “vigjilent”! Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja...edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj...por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati pa kuptue asgja... Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj...se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm...”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë...Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë...ndër male kundër serbëve!” Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë! 5

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”...aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo‟ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë...me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t‟ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo‟ Lulit. Dedë Gjo‟ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme... Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdisë së përjetshme të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut... Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”...se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!
Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo‟ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t‟ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin. Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik. Dedë Gjo‟ Luli me bashkluftarët e vitit 1911. (Foto Marubi) 100 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë! Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo‟ Luli i pari që mori shpellat! Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t‟i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën...Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo‟ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake? U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.
Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj...U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”...Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish...Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim, e shkrryeme ndër shilte... Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”... Asgja nuk e këthente Dedë Gjo‟ Lulin nga rruga e Herojve! Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye... Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij: “M‟i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s‟ ka aq pare sa me më thye!” Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij...Ndersa Dedë Gjo‟ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar... Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend? Ai u pergjigjë sikur të kishte përballë një turk: – “Po shpellat a m‟i pret?” Heu Zot na ruej...Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash...
E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s‟ia kam falë Mbretit as nuk kam me t‟ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë. Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t‟Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës. Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.) Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake. Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u vazhdue lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare. Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim... 10

I madhi Martin Camaj pat shkrue:
Dy brezni
Im atë ishte
burrë me pamje të trishtë, dru ullini pa fletë me kokrra të zeza në çdo degë.
Fjala i jehonte ndër ne
shungullueshëm as me qenë ulurimë ujku t‟ unshëm ndër karma, vetëm.
Im vëlla zuni
vendin e tij, im vëlla kambë-zdathë – murrla i kuq n‟ orizont – i fryn zjarmit në vjeshtë me plot bulshij e të gjitha shkëndijat i bahen djelm.
Shenim: Theksimet janë të gjitha të mijat. (F.R.) 11

FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT...
Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija...Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hudhi si t‟ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë 12

kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun e vjeter të Gjo‟ Lulit... E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t‟ arta! Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë. Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo‟ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë...Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë...E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit... Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit! Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç‟mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n‟ ato ana...Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken... Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ndër gur‟ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911... Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo‟ Lul!
Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga 13

Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma! Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë. 100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911...Me Dedë Gjo‟ Lulin... Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt! I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë! Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi! Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s‟ pushonin! Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës... Pikë lotit nuk shihej n‟ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët... Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue! Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë... Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut...tue zgjue mbarë një Europë: “Oooo... Burra bre... çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!...”
Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!
Tingujt e Lahutës...vazhdonin Kangët e veta... 14

1911... NË DEÇIQ
Rruga ishte mjaft e vështirë e jo pa të paprituna!
Duhej kalue nëpër disa gryka malesh me mbërrijtë në ato Malësi! Duhej çue Flamuri i Shqipnisë...Atje! Duhej ra rrugë pa rrugë! Gratë shkodrane kishin qëndisë me durt‟ e tyne t‟ arta dhe kurrë të lodhuna nën dritën e kandilit der sa errej nata vonë, tue këndue lehtë nën za pranë djepit ku do të përkundej Liria, mbi shtrojen e kuqe të cohës së trashë e të derdhun një Shqipe të madhe e të zezë me Dy krena, si dikur motit, ku kishin shkri gjithë dijen e vet. Nuk dihej fati i udhëtimit. Asht mirë me kenë e ruejtun ajo punë aq e mbrekullueshme që ishte ba mbi atë Flamur! Ishte foto Marubi në Shkodër, që me xhamat fotografikë do të ruente pamjen e Tij deri sot. Nën xhamadanin e artë të Dedë Gjo‟ Lulit, tashma rrahte ma fort se kurrë “Ora” e Shqipnisë. Aty ishte Gjaku i kulluem i Asaj zemre që nuk e njohi tutën...E malet e atyne Alpeve të pashkeluna nga kamba e thundra e dhunuesit turk e shkja, si gomna mu në zemer të Ballkanit, ishin që thithnin Atdhetarët tanë me vrapue mbathë e zbathë, mbërthye në armët e të Parëve, e me u gjetë në Atë Maje të Bratilës, ku Lirisë tash i kishte ardhë minuti i saj gati i harruem në shekuj. Të parët që u gjetën pranë Malësorëve Trima ishin Françeskanët Shqiptarë, që me sandalet e tyne dhe kambët e dermishuna e të gjakosuna, nuk kishin lanë rrugë kali e mushku pa shkelë ndër ato anë plot ferra e murriza, atëherë kur nuk shihej asnjë shenjë se ndonjëherë aty do të bulonte Liria e Atdheut... E cili nga ata shtigje nuk ishte i lamë me gjakun e Tyne? 15

At Mati Prennushi OFM. (Foto Marubi). Françeskanët ishin Ata që do ta çonin të ngjeshun për parzëm Atë cohë si zhguni i tyne mu në maje të malit të Deçiqit. Dokumentat e asaj kohë flasin ma saktë se të gjithë librat e botueme mbas 1944 me mohimet e shtrembnimet e tyne të fakteve historike. Janë revistat “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” e sa fletore të tjera që përfshijnë ndër faqet e tyne atë moment historik, i cili asht faktori vendimtar dhe i pamohueshëm i shpalljes së Pavarësisë sonë kombëtare, në vitin pasues mbas 1911. Po filloj me ate që kam zgjedhë nga leteratura moderne, nga një artikull që u botue në vitin 1994 nga Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco, dokument që u pat shkrue nga amerikani Prof. Dr. Stephen Schwartz: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” (Përkthye nga E. Radovani. 2004.)
Në vitin 1981, në TV e Podgoricës (atëherë Titograd) në muejn mars, asht dhanë një program i shkurtë për këte ngjarje dhe, për çudi unë 16

krejt rasësisht kam pa një dokument të ruejtun atje, ku tregohej nga një autor malazez, se “kjo ngjarje asht pregatitë nga At Mati Prennushi OFM (1881 – 1948) dhe At Buon Gjeçaj OFM (1870 – 1957), miq të Dedë Gjo‟ Lulit, që kanë krye shërbime fetare e atdhetare në ato krahina.” Çudia qendronte në foton e At Mati Prennushit, që ishte marrë nga filmi i xhiruem në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, nga një oficer operator jugosllav, që ndodhej në Shkodër me rastin e “futjes së armëve nën Elterët e asaj Kishë nga vetë sigurimi i shtetit komunist, që zbatonte urdhnat e dhanuna nga Beogradi, me datën 16 nandor 1946, në të dalun të dritës së datës 17 në mengjes.” Po ajo foto (vetëm koka me kapuçin e zhgunit) asht tek “Dosja 1302/”, Arkivi i M. Mbrend. Tiranë, viti1998). At Buon Gjeçaj OFM.(Foto Marubi). Edhe At Buon Gjeçaj në vitin 1951 u arrestue dhe u dënue 5 vjet pse u shpreh kundër “Statutit të Kishës”, që hartoi shteti komunist. Jetoi pak vite mbasi u lirue se mosha bani punën e vet. Vdiq në vitin 1957. Bana këte shpjegim për me ba ma të kjartë qendrimin e atyne komshijve, që gjithnjë kanë kambngulë me mohue veprimet e veta në të gjitha aktet antishqiptare kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe Popullsisë Katolike Shqiptare në të gjitha Trojet tona. Ata edhe sot flasin për 1911 me foto të viteve 1946...ashtu si shërbëtorët e tyne tradhëtarë në Tiranë. Ndoshta ky veprim ka për qellim me tregue dy variante nga ata: I pari ishte atëherë kur At Mati Prennushin e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”....dhe At Matia, me buzë në gaz i përgjigjët: -“Jua dij për nder me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” 17

Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; dhe së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq, por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hir të asaj dashnije që ruente në zemër At Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën, por edhe e liroi dhe ia dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë At Matia do t‟ ishte profesor në Gjimnazin Françeskan, për me u shmangë nga tokat tona afer Malit të Zi, por shumë shpejt shkoi prap ndër çerdhet e maleve në mes të atyne Malësorëve besnikë ku jeta i zgjatej me rritjen e fidanave të rij. Varianti i dytë lidhet me qellimin e vjeter djallzor të shovenistëve serbomalazez, të cilët gjithnjë janë shprehë se “Kleri Katolik Shqiptar duhet qitë fare” mbasi Ai ka luejtë rol kryesor në lëvizjet Atdhetare antishoveniste serbe e antiturke, tue formue në Popullsinë Katolike të Veriut ndjenjat e Tyne Atdhetare dhe tue i edukue me dashninë e madhe për Liri, të cilën Malësorët gjithmonë e kanë ruejtë me pushkë në dorë. E mandej dilnin tek qellimi i tyne kryesor për të cilin punuen për zhdukjen e këtij Kleri, se ky jo vetëm i ka furnizue gjithnjë Malësorët me armë, por edhe Kishat e Tyne Katolike i kanë kthye në “depo armësh”... Me këte shpifje shovenistët serbomalazez arritën me sherbëtorët e vet komunistët anadollakë të Tiranës, me pushkatue At Mati Prennushin, Imz. Frano Gjinin, At Çiprian Niken, Imz. Gjergj Volaj, Imz. Nikoll Dedën nga Prelatët e Kishës Katolike Shqiptare, me 11 Mars 1948. Në dy raste që di unë kjo thanje kishte “njëfarë” baze, deri aty ku ata kërkojnë me njollosë pastertinë e Kishës Katolike Shqiptare.
Armë mbanin të gjithë Klerikët për siguri rruge, ashtu si edhe vetë Malësorët që i shoqnonin Ata në rrugët e vështira të maleve. Por kur vinin kambën në shkallët e prakut të Kishës, arma duhej lanë jashtë dhe për këte qellim kishte tek dera vendin ku vareshin armët në kohën kur hynin ndër Kisha. Ndërsa ndër qela jo, mund ta mbanin armën me vete, me përjashtim kur shkonin me krye ndonjë shërbim fetar, që nuk iu lejonte me kenë i armatosun askush i pranishem aty e as vetë prifti. Kjo nuk donte me thanë se njerzit e priftit nuk kishin të drejtë me pasë armë ose me ua çue armët Malësorëve dhe, me i përdorë për qellimin e naltë të Lirisë së Atdheut dhe mbrojtjes së Tij nga anmiqtë që i kishin edhe rreth e rrotull shtëpisë së vet. Kështu për shembull, unë kujtoj tre emna që 18

përmendeshin për furnizimin e Malësorëve të Veriut me armë: Kin Nikaj (Duçja), Rrok Shtjefen Gjonej dhe Zef Shantoja (plaku). Kini kishte lidhje me Don Ndoc Nikaj dhe emni i tij u ba shkak me u akuzue Don Ndoc Nikaj nga komunistët në 1946, dhe me u shetitë ndër rrugët e Shkodrës i hypun në gomar dhe i ngarkuem krah e qafë me armë gjoja të mëshefuna prej tij. Edhe Zef Shantoja (plaku) ishte i trollit të vjeter prej nga vjen Atdhetari i Madh i Don Lazer Shantoja... Ndërsa, Rrok Shtjefen Gjonej...ishte që dikund larg lidhej me At Mati Prennushin... Rrok Shtjefen Gjonej asht kenë vëllau i Ndrekë Gjonej në Shkoder. Rroku asht kenë marrë edhe me rrugë tregtare nga ana e Kosovës, ku e kanë vra serbët tradhëtisht si gjithmonë, dhe mbasi e kanë therë me bajoneta, i kanë pasë nxjerrë edhe sytë, gati mos me u njohë. Këte vdekje makaber e di nga gjyshja eme, Nine Prennushi, e cila e kishte pasë nip Rrokun nga motra e vet e martueme me Shtjefen Gjonej, emen të cilin e mban edhe sot rrugica përballë Argjipeshkvisë së Shkodres, rrugica “Gjonej”, ku kanë pasë edhe shtëpinë e vet të madhe. Këta tre përsona kanë furnizue Malësorët e Veriut me armë që i kanë pasë sjellë nga Venediku nëpër lumin Buna dhe i shkarkonin në fshatin e Darragjatit ndër të njohun të tyne, prej andej i kalonin nëpër liqe të Shkodrës prej nga i transportonin ndër male ku atëherë po pregatitej kryengritja e tyne kundër turqëve. Sigurisht, as për këta emna nuk asht ba fjalë dhe as nuk janë zanë me gojë. Për këto armë ka pasë shkrue atdhetari Risto Siliqi, po ai liber u ndalue se përmendej emni i njëfarë Bekteshit, që hypte ndër tribuna dhe rreshtohej me E. Hoxhen, e ky ishte pikrisht ai për të cilin kishte shkrue z. Risto Siliqi, sesi ky tradhëtar kishte spijunue Malësorët tek turqit dhe ata, mbasi e kishin zbulue, e kishin zanë atje, e kishin rrah për me e zhburrnue, e kishin çveshë në brekë dhe e kishin sjellë nëpër liqe të Shkodres tek ura e Bunës. Aty. para se me e zbritë tek molo e Pazarit, kishin qitë pushkë. Kur janë mbledhë shumë njerëz të ndodhun në Pazar, Malësorët e kanë zbritë të çveshun dhe zbathë para molos dhe janë kthye në Malësi. Këte Bekteshin që na pat lanë edhe mustakë... për këta vepra e merrte “shoku” i tij spijun në tribuna dhe i pat dhanë edhe “armët trofe” që i pat marrë Malësia...
Këto armë vazhduen me kenë objekti i të huejve për me akuzue Malësorët tanë dhe me u veshë atyne rrobat e “kusarisë”, dishka krejt e trillueme prej dashakqijve tanë shekullorë. Këtyne armëve dhe të gjithë mbajtësve Malësorë çka nuk i asht vue epitet nga të gjithë krahët përrreth 19

nesh nga veriu, jugu e perëndimi, vetem sepse Malësori ato i ka përdorë për tre qellime, me ruejtë Tokën e të Parëve, Fenë e Krishtit dhe Nderën e rrezikueme në të gjitha kohët. Asht e dijtun se asnjëherë ndaj këtyne tre qellimeve nuk ka pasë kundërshtar asnjë Klerik Katolik, kjoftë edhe nga misionarët e shumtë që kanë ardhë ndër male prej vendeve të tjera. Duhet shtue se aq janë pajtue me ta, sa mbanin edhe vetë armë. Këtu zen fillë ardhja e Françeskanëve në Shqipni në Shek. XIII. Kalimi i tyne për shërbime fetare ndër malet e Veriut, duhet që të plotsohet si frazë mbasi do t‟ ishte shumë e mangët mos me zanë në gojë rolin e madh human që ata kanë luejtë në pajtimet e gjaqeve, formimin e Malësorëve me tipare të qytetnimit dhe dashuninë për shkolla, veti me të cilat prëgatitej rruga e tyne për me kenë pjesë e vërtetë e Europës. Palok Traboini (Gojçaj) (Foto Marubi) Një nga figurat e njohuna, edhe ky si të tjerët i lanun në harresë, asht edhe mësuesi i nderuem Atdhetar, Palok Traboini (1888 – 1951). Ky mësues mbijetoi deri në vitin 1951, edhe pse në trupin e Tij ishin ende shenjat e plumbave të marrun në Luftat e Malësorëve të Hotit, në 1911. Ishte djal i Atyne Maleve. Dedë Gjo‟ Luli, tue pa squtsinë e Tij, e çoi me u shkollue në shkollen italiane të Shkodrës, ku ishte mësues A. Skanjeti. Mbasi përfundoi, u pat kthye në Hot dhe ishte sekretar pranë Trimit të Traboinit, për të cilin ka lanë edhe një poemë, “Lufta e Maleve”, me 1700 vargje. Luftoi përkrah vllazënve të vet Malësorë në Deçiq dhe ishte ndër luftëtarët ma besnikë të Dedës, që e mbajti pranë në të gjitha kuvendet deri në ditën e fundit. Vitët e fundit i mbylli si mësues në Shkodër, Shirokë etj...por gjithmonë mbas vitit 1944, asht konsiderue “Djal‟i Hotit dhe armik i serbëve e turqëve” dhe si i tillë, kuptohet ka vdekë i Nderuem si shumica e bashkluftarëve të vet, pa u njollosë dhe zhigatë në gjoksin e Tij me “urdhna e dekorata” komunistësh. 20

Ai ruente të ngjeshun fort për parzëm idealin e paster dhe të çmueshem të Malësorëve të Traboinit, Flamurin e Gjergj Kastriotit. Në vitin 1962 kam pasë fatin me njohë edhe zonjën Norë Kolja, e reja e Dedë Gjo‟ Lulit, pak ditë mbasi ishte kthye nga Vlona. Ishte atje me rasën e festës së 28 Nandorit 1912, dhe më ka tregue sesi në banketin e madh të shtruem për nder të Luftëtarëve të Lirisë dhe të Pavarsisë në Vlonë, ku kishte gjallë ende edhe Malësorë Luftëtarë Trima të Veriut, me paturpësinë ma të madhe, në banketin e madh të shtruem për nder të Tyne, sesi “i madhi” atje (mos iu përmendët emni) kishte thanë tue kenë në krye të sofres se, “ne jemi vëllezër gjaku me turqit”, shprehje e cila u pasue edhe nga trashigimtarët e fronit tij, tradhëtari Ramiz Alia, e deri tek të “konservuemit” komunistë anadollakë në “demokratë”. E si mund të mendohet se tradhëtarët e shitun sa tek turku sa tek serbët, do të nderonin anmikun e “vllaut të vet” të cilit pa pikë turpi i shërbejnë edhe sot? Malësorët, dhe në përgjithsi Populli Shqiptar, i ka nderue dhe i ka respektue shumë klerikët e të gjitha besimeve; kjo ndoshta ishte edhe një arsye tjetër që edhe klerikët janë tregue të pakursyem me ua plotsue mjaft mungesat e tyne me mundësitë e pakta që kishin, mbasi kudo e kurdo Ata janë kenë të përndjekun dhe të survejuem nga pushtuesit. Lufta, vepra heroike Atdhetare e Malësorëve dhe e Klerit Katolik Shqiptar në Deçiq asht ndër ma të randësishmet për vuemjen e themelit të Shtetit të Parë Shqiptar mbas sa shekujsh robni turke. Po të mos kishte ngritë atë Flamur të Gjergj Kastriotit në Deçiq Dedë Gjo‟ Luli me Trimat e vet me 6 Prill 1911, jo vetem mund të vonohej ardhja e Pavarësisë së vitit 1912, por do të vehej një pikpyetje e madhe se, “cila do t‟ ishte ajo Pavarësi... që ma vonë do të na „dhuronte‟ne pushtuesi turk..apo serb..?” Në kjoftë se Shqiptarët ruejtën në shekuj ndër zemrat e veta ato ndjesi që një ditë jo vetem u zgjuen, por edhe shpërthyen si vullkan në Alpet tona, asht Dedë Gjo‟ Luli e vetem Dedë Gjo‟ Luli, që shpërthej si lava nga Maja e Bratilës dhe u përhap në të gjitha Trojet Shqiptare, tue ra mbi kokat e pushtuesëve dhe “felëshuesëve” tradhëtarë të vendit, tue i përvlue e zharitë si dikur po në Ata gryka e lamije Prel Tuli i Selcës... Dedë Gjo‟ Lulit në betejën kundër turqve iu pat vra djali i vogel... Po, Deda nga kjo vrasje e të birit a u topit...?
At Viktor Volaj tregon në komentin e librit “Mrizi i Zanave” të At Gjergj Fishtës: “Kur me 26 Qershor 1912, iu vra i biri Gjergji në një luftim kundër Tuzit, kështu u munduen me i diftue: - Dedë kanë mbetë 20 21

vetë të Hotit... Ai u përgjigjë: “E po, në luftë njeriu do të vdesë”; - mirëpo, me ta ka mbetë edhe djali i yt, i thanë – Ai atëherë, me sy kokerr e pa dhanë asnjë shenj turbullimi, ua priti: “Edhe tjerët janë djelm nanash si i emi!” Dhe nuk u ligshtue aspak, por ngjau ajo qi nuk pritej, me u dhanë zemër shokëve me qindrue... Ai kje anmik i rrebtë i çdo anmiku të Shqipnisë.” Boll u vranë djelmë Malësorësh për Liri t‟ Atyne Trojeve... E prap... sa vinin e shtoheshin...si kokrra e grunit! Si për inat të turkut e të sllavit...edhe sot! 1913. Tavani i Kishës Kathedrale (nga ana e majtë) i hapun nga gjylet e topave të malazezëve… 22

NGA DEÇIQI NË QELË TË GËRÇES... Një veper kaq e lavdishme siç ishte ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo‟ Luli në Deçiq, nuk ishte e mjaftueshme për Atdhetarët e vërtetë Shqiptarë. Duhej vazhdue e çue në fund qellimi i Tyne! U dha kushtrimi për në Gërçe... E Shqipet fluturuen Atje! Këte herë do t‟ ishte çerdhe e Atdhetarëve si gjithmonë qela e Fratit... Mikpritës i Atyne Burrave ishte Françeskani At Mati Prennushi OFM., Mik i Dedë Gjo‟ Lulit dhe bashkpunëtor i urtë i të gjithë Atyne Burrave që ia patën msye qelës së Tij, ku “buk‟ e krypë e zemër” nuk mungonin kurrë. Me armë ende të ngrohta në brez, u rreshtuen në një tavolinë modeste Ata Atdhetarë, të cilët na lanë të shkruem një nga Ata dokumenta të Historisë së kohës moderne, që si të gjithë të tjerët asht i lanun nën pluhunin e flamurit anadollak të pseudohistorianëve tonë. Kam ba shumë përpjekje me gjetë ndonjë dokument origjinal të Memorandumit të Gërçes, por nuk ia kam arrijtë. Njohunitë ma të sakta i kam nga miku im i shtrejtë, françeskani At Kondrad Gjolaj, i cili më ka shpjegue se organizatori i Atij Memorandumi asht kenë vetë At Matia. Me aprovimin e plotë të Imzot Lazer Mjedjës, në qelen e At Matisë pat shkue vetë Imzot Mjedja, Dedë Gjo‟ Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe disa krenë të Malësisë së Veriut, ku u pat mendue, përpilue dhe shkrue në gjuhën frange, e mbasi u pat aprovue nga të gjithë pjesmarrësit, u pat firmue Dokumenti, i cili kërkonte nga qeveria turke “njohjen e plotë të Pavarësisë së të gjithë tokave të Shqipnisë”, formimin e Shtetit Shqiptar, vendosjen e një administrate në këtë shtet ku do të përfshiheshin edhe vilajetet tjera të Shqipnisë që ishin me popullsi autoktone shqiptare. Per ruejtjen e integritetit tokësor u kërkue formimi i policisë shqiptare dhe krijimi i një administrate që do të kontrollohej nga organet e drejtësisë, të cilat si trung i përbashkët i Këtij Shteti të Ri të porsaformuem do të përdornin në të gjitha hallkat e Tij si gjuhë zyrtare Gjuhën Shqipe. Një ndër pikat ma të randësishme të Atij Memorandumi ishte hapja e Shkollave Shtetnore Shqipe, ku do të ishte kryesore Gjuha Amtare, krahas gjuhëve tjera të dyta. Luigj Gurakuqi mori përsiper edhe hartimin e një buxheti ku do të parashikohej sesi do të funksiononte kjo administratë shtetnore, ku do të përfshiheshin edhe disa reparte ushtarake të mobilizueme ndër të gjitha vilajetet e Shqipnisë. 23

Disa probleme ekonomike të parashtrueme në këtë dokument janë mendime të Luigj Gurakuqit, i cili që në atë kohë parashikonte sesi duhej veprue për mëkamjen e ekonomisë në mbarë Shqipninë. Memorandumi prej 12 pikave Ju dergue edhe Fuqive të Mëdha. Pjesmarrësit e kësaj mbledhje ranë dakord që porsa të shkonin në krahinat e veta, me punue me guxim dhe me shpallë botnisht Luftën e haptë kundër pushtuesëve turq, tue kërkue në ndihmën e vet Popullin e të gjitha atyne viseve që me të gjitha mjetet do të luftonin për Liri. Kryesore ishte që udhëheqësit e Popullit nuk duhet të binin preh e premtimeve të pushtuesit, për pranimin e “Pavarësisë” nën kontrollin e mbikqyrjen e forcave ushtarake turke ose edhe pjesmarrjen e tyne në organet e drejtësisë, financave dhe organizimin e ushtrisë kombëtare. Lufta për arritjen e zbatimit të kërkesave ishte e shpallun njëheri me shpalljen zyrtare të Memorandumit të Gërçes. Shumë pak e aspak asht vlersue ky akt aq i randësishëm historik për Pavarësinë tonë kombëtare, tue u dijtë mirë se ky veprim i ka pasë parapri në të gjitha rrethanat e krijueme atëherë ngjarjeve të Vlonës. Jam i sigurtë se kjo vjen si pasojë e mohimit të rolit Atdhetar që ka luejtë Malësia e Veriut në arritjen e fitores së Pavarësisë, sigurisht tue u bazue tek lidhja e ngushtë e këtyne Maleve me Klerin Katolik. Në përpilimin e Këtij Memorandumi bie në sy mënyra sesi asht hartue dokumenti dhe përdorimi i saktë i termave juridike, që lejon me mendue njohjen e drejtë dhe të saktë të ligjve ndërkombëtare nga të gjithë nënshkruesit, që kanë parashtrue ato kërkesa me aq guxim dhe drejtësi, sa në dukjen e parë ke përshtypjen se Dokumenti asht formulue në ndonjë nga shtetet “ma të zhvillueme” të Europës së asaj kohë. Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit.. Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën në të cilën u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911. I pari që filloi përpjekjet për zbatimin e Memorandumit ishte vet trimi i Traboinit Dedë Gjo‟Luli. Lufta ishte me të vertetë e rrebtë. Liria e Atyne Maleve u pague shtrejt deri ndër majet e veshuna me borë, ku Historia e Shqipnisë gjithnjë asht tregue e pamëshirshme, tue i lanë me dashje këto vepra të ngrime “nën akuj”... 24

“NDIHMA E ZOTIT E PUSHKA E HOTIT”
Kështu thotë Populli... Këto janë faktorët kryesor që shpejtuen Lirinë e Atdheut!
Me 28 Nandor 1912, Shqipnia u shpall e Pavarun dhe e Lirë!
Shkodra vazhdonte me kenë e rrethueme...këte herë Kështjella Rozafat nuk ishte e rrethueme nga turqit, por gjuhej në top nga Mali i Zi ... një anmik tjetër shekullor, që priste me sjellë një robni tjetër. Nderhynë forcat ndërkombëtare dhe zmbrapsen malazezët... Trojet tona nga një robni kercnoheshin prej tjetrës...poaq mizore. Malësorët vazhdonin me ra me fjetë me krye ndër cunga e me armë përfaqe...tue vazhdue me u ruejtë nga pusitë e serbit të pabesë... Londra kishte “mendue” me trutë e serbëve, se Tokat tona, Hoti e Gruda, duhej shue ashtu si u veprue me Kosoven, Korçen e Gjirokastren e prap ma vonë me Çamërinë, Maqedoninë Shqiptare dhe Vorio Epirin. U munduen me krijue një ide “qetësie” në Ballkan me disa forca ndërkombëtare, që u vendosën në Shkodër. Admirali anglez Cecil Burey, kur i tregoi Dedë Gjo‟ Lulit se “Hoti e Gruda kishin mbarue”, Deda iu përgjigj aty për aty pa i ba syni vek: “Ti, zotni, ke hyqem me shitë kopështin tand, se ate t‟emin nuk e shes as nuk e fali!” Atëherë, admirali, tue pa veten ngusht, u suell nga Malësorët dhe u tha: “Në mos ndejshi rahat, Fuqitë e Mëdha të Europës kanë me i vue me forcë në zbatim vendimet e veta...” Deda, në heshtjen që ra n‟ atë vend, piskati: “A ka tager e forcë Europa me më ndalue që me derdhë gjakun tem!” Po, Londra dhe Fuqitë e Mëdha... “formuen një Shtet Shqiptar rrethue gjithkah me tokat e veta”, që edhe sot nuk janë të Sajat... At Gjergj Fishta në revisten e themelueme prej Tij, që në vitin e parë të “Hyllit të Dritës”, në numrin 2, shkruen për betejat e Maleve: “Namin e tyne për me e kndue si duhet, O nieri lypet, lypet Iliada.”... Ndërsa, mue... më lypët At Fishta... E vetëm atëherë kur sytë tonë të molisun nga robnia komuniste të kalojnë sipër shkronjave të daltueme prej Teje, o At Fishta, ndër ata libra që ndër shekuj nuk kanë mort, kemi më u kjartësue për me pa atë dritë me të cilen Françeskanët Shqiptar ndriçuen rrugen e Lirisë... 25

“Veç, po, ka Dedë Gjo‟ Lula – burra fjalet: Ka Cokaj n‟ za për pushkë e bujari, E ka Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka, Edhe Gjeto Mark Ujka – t‟ idhtë si helmi; E janë Nikë Gjelosh Lula – rê me breshen, E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja: Janë Kolë Marash Vata sy – kulshedra, Vetem me i msy „i qind vetë e armët m‟u a marrun. E ka dragoj Tirane edhe Kosove, E Orë prej Shale, e djelm, si Zana Dibret: Ka sokola prej Zhubet e Berishet,
E djelm e burra ka, e ka fatosa
Me brejtun hekur, t‟ thuesh, me shkulun lisat, Malet me i dyndun per liri t‟ Shqypnis… » (At Gj. Fishta, « Mrizi i Zanave » 1941) Mora këta vargje nga At Fishta për me ju kujtue se ka emna që po mos t‟ ishin shpjegue nga At Viktor Volaj, nuk di a do të njiheshin nga ajo histori e shkrueme tash 65 vjet e këndej…E pra, kjo nuk ishte luftë cubash, as luftë kusarësh… Ja dhe shpjegimi i At Volaj :
« Kush kje Dedë Coku.. ? – Ishte prijs i kryengritjes së Malësorëve të Bregut të Matës, i cili me 30 vetë, me 22 Qershor 1912 i vunë pushkën një ushtrije 600 vetësh, të drejtueme nga kajmekami i Lezhës, të cillin e vranë në pushkë të para. Në këte luftë të përgjakshme kanë mbetë 187 të vdekun dhe një numur ma i madh të plagosun, u kjenë marrë 45 kuaj e mushq, ndër të cillët disa të ngarkuem me municjon e ushqime. Të nesërmen Deda bashkë me Pjeter Sokolin, me gjithse të dy të plagosun, kalor dy kajve të marrun dy ditë para ushtrisë, i prijnë karvanit nëper grykë të Fandit për me dalë me verue në Mirditë. Ndersa Llesh Nik Deda asht quejt me arsye Leonida i Bregut të Matës. Ky ka fillue me luftue vetëm me ushtri turke prej kullës së vet. Tue kujtue ushtrija turke se aty ishte një qindresë e madhe, filloi me e gjuejt kullen me top. Atëherë Lleshi nëper flakë të pushkve del prej kullet, tue i çilë shteg vedit mjedis ushtrisë çanë rrethimin, mbërrinë tek një arkë fyshekësh, e shpërthen me tytë të pushkës e aty qindron si luàni. Rreth shtëpisë së tij kjenë gjetë 70 vetë të vdekun. Lleshit i plagosën nanën, vajzën dhe i vranë një nip; edhe ai vetë kje plagosë, por me ketë rasë pat shpëtue. Mbas dy muejsh kje varrue randë në një sulm të Durrësit, që kje 26

kryesue prej Dedë Cokut, dhe me 28 Gusht vdiq në kuvendin Françeskan të Rrubikut, strehë dhe çerdhe e lëvizjes kombtare. – Gjeto Mark Ujka, trim e sokol prej Rapshët, u vra në Qafë Ugel. – Nikë Gjelosh Luli, u dallue në shenj përveç tjerash për guxim e trimni në luftën qi u ba në rrethe të Deçiqit, kur turqit deshtën me e pushtue. Asht vra me 3 Maji. Kolec Marku: kje një ndër deshmorët e Rrushkullit me fis prej Triepshit, dhe u vra në Gushtin e vitit 1912. Gjelosh Gjoka asht kenë vojvoda i Bajzës së Kastratit. Tue kenë nëpunës i qeverisë turke, pat urdhën prej Bimbashit me i ardhë në ndihmë, por ai nuk pranoi dhe doli në mal me të vetët, tue ngritë Flamurin e lirisë. Kolë Marash Vata: Djal vigan e hyll dritët, prijs i çetës së homeridve (kishte 18 vetë me armë e 11 vetë pa armë), i cilli, mbasi Dedë Gjo‟Luli dha shenjën e sulmit, mësyni me 24 Mars 1911 dy kaushat e Rapshës së Hotit. “Ma mirë dekë si burrat se gjallë me marre!”, kështu u foli të vetve para sulmit. Mbas një sulmi të terbuem, turqit patën dy të vdekun dhe dy të plagosun qi i kapën gjallë. Të nesërmen sulmuen kaushat e Traboinës. Lufta u ba ma e rrebtë. Atë ditë Kola me tetë sokola të tjerë të Traboinit ra deshmor për liri. Nga turqit u vranë 40, ndërsa tjerët u kapen rob. Ka edhe dragoj Tirane: Në luftë kundër turkut moren pjesë edhe Toptanët, ndër të cillët u dallue Masar Beg Toptani; po ka edhe Kosove: Ma e para lëvizje, si asht thanë ma nalt, filloi në Kosovë. Ndër ata që i prine çetave asht me u permendë: Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Riza Beg Gjakova, Zefi i Vogel, Hasan Beg Prishtina, Zenel Begu etj. Ka edhe Orë Shalet: djelm trima qi thyen ushtrinë e Turgut Pashës, tue e detyrue me u kthye mbrapshtë u kryesuen prej: Mehmet Shpendit, Atil Reguli i historisë sonë kombtare, qi me djelmët e Shalës, u shkoi në ndihmë edhe Malësorve. – ka edhe djelm si Zana Dibret: I pari që u çue kundër Turqve të Rinj kjé Basri Beu, ish deputet, i cili doli në mal me 60 vetë. Ka sokola prej Zhubet: Me ketë emen thirren Bajrakët e Malësisë së Lezhës. Kryetar i kryengritjes së kësaj krahinë kjé Kolë Toma i Velës. Prej Berishët: Nji bajrak i Pukës marrë për krejtë krahinën e Pukës.” Vazhdojmë ndër fakte tjera të padituna prej shqiptarëve...
Në librin “Nga kujtimet e mija” Imzot Luigj Bumçi, tregon: “Argjipeshkvi më çoi mue në Triepshë me u ndeshë me Malësorët e atij vendi e me ua diftue mesazhin e Mbretit. Zotnitë Don Nikollë Ashta e At Mati Prennushi më shoqnuen n‟ atë udhtim, e një të diele nade heret fort u gjetëm te Kisha e Triepshit. Si u mblodhën Malësorët dola e si u 27

përshëndeta me ta, u thashë këto fjalë: Zotni Argjipeshkvi ka dalë në Podgoricë me u pa me ju por, mbasi ai vetë nuk mujti me ardhë deri këtu, na ka çue ne. Ju falet me shndet e ju çon bekim. Të gjithë njëgojet u përgjigjën: Zoti i ngjatët jeten Argjipeshkvit e i faleminderës fort që na ka kujtue. Mbas këtyne fjalëve u thashë shka vijon: Argjipeshkvi më ka ngarkue me ju thanë edhe se Mbreti ju ka falë, veçse ju thrret me kthye ndër shtëpijat tua e ju ep fjalën se ka me ju shpërblye të gjitha damet që keni pasë. Ju luten Marash Ucit me folë për tanë, e Marashi mori fjalën e tha: Zotni, po na thue se Mbreti na ka falë. Shka me na falë? Na mos i kjoshim falë aspak Mbretit qyshë se ai në Kuvend të Berlinit na pat lëshue doret e na pat dhanë Malit të Zi. Gjithkush e di kangën: “Hot e Grudë na i ka dalë fjala / i a ka falë Mbreti Nikollës”... Na qyshë atëherë nuk kemi pa ditë të mirë. Vendet tona i kemi ruejtë na vetë e s‟ asht shkrep e gur që nuk i kemi la me gjak. Shka don me na falë pra Mbreti? Por se jemi të vogjel, se me shtij pleq me Mbretin na Mbretin kishim me e qitë borxh.” (Imz.L.Bumçi “Nga kujtimet e mija” “Hylli i Dritës”, nr. 5, fq. 16, 17, viti 1944). Po tek “Hylli i Dritës”, fq. 17, 18, Imzot Luigj Bumçi shenon: “Malësorët ishin mbledhë në një dhomë tek një shtëpi në Podgoricë për me u pa me Ministrin , ku e përcolla unë si përkthyes që më pat shenue Argjipeshkvi. Ishin në atë dhomë për shka më bie në mend: Dedë Gjo‟ Luli, Dedë Nika i Grudës e disa të tjerë. Para se me hy Ministri, shkova tek Malësorët e u thashë që të caktojnë një ndër ta që të flitte n‟ emen të të gjithëve. Kishin caktue Dedë Gjo‟ Lulin. Si hyme n‟ atë dhomë u fal Ministri me ta dhe u tha: Zotni kam ardhë prej Cetinet me ju pa. Dedë Gjo‟ Luli po i përgjgjet: S‟na ka pasë marrë malli për ty. Mue mu dote me ia përkthye. Si u ulem e ndejëm po i thotë Ministri: Mbreti ju do e ju ka falë. Dëdë Gjo‟ Luli nuk e la me mbarue, e menjëherë i tha: Mos na përmend Mbretin pse s‟ kemi punë me te. Ai as nuk na njeh as nuk i di punët tona. Por ju që vini mbas Mbretit jeni të tanë hajna e manafikë e, ju e rreni si për ne si për të tjerët. Pra ai nuk ka shka na falë. Atëherë siellet Ministri kah unë e më thotë: Po pyeti këta zotni at librin që këta përmendin a e donë për vete a për të gjithë Shqipninë?... Dedë Gjo‟ Luli iu përgjgjë: Ato pika që janë n‟ atë librin e kuq i duem ma parë për vete, mandej për Shqipninë mbarë!
Ministri, i cili gjatë këtij kuvendi nuk kishte mujtë me mbajtë gjakftohtësinë, u çue mjaft idhnueshëm e më tha: Thueju se s‟ kam me 28

ardhë ma me u pa. Dedë Gjo‟ Luli po i përgjigjet: S‟ na ka pasë marrë malli për ty... Kështu mbaroi ky kuvend pa kurrfarë kënaqësije si pat fillue...” (Imz. L. Bumçi “Nga kujtimet e mija”). Duhet vue në dukje se Kleri Katolik Shqiptar i atyne zonave, ku pjesa e madhe e Malësorëve kishin braktisë trojet e veta, menjëherë mbas përpjekjeve të pasukses të Argjipeshkvit Imz. Jakë Serreqi për me bindë Malësorët me u rikthye në fshatrat e lanuna shkret, të gjithë Famullitarët e atyne krahinave shkuen e u bashkuen me Malësorët e vet dhe kanë luftue përkrah tyne për Liri. E ky fakt nuk asht i fundit... Lufta e tyne ishte e vendosun me u vazhdue deri në piken e fundit të gjakut. Bashkë me Malësorë u patën bashkue edhe mjaft djelm nga qyteti i Shkodres dhe i Podgoricës. Lufta mori hov edhe ma të madh tue ua ba të kjartë edhe qarqeve të nalta Europjane, se Malësorët e Malësisë së Mbishkodres do të vazhdojnë luften e Tyne për Liri të plotë të të gjithë Atdheut, në përputhje me Lëvizjen Mbarëkombëtare që ishte shtri në mbarë Shqipninë, tue ruejtë deri në fund pastertinë dhe atë nderim aq të madh që kishte perfshi mbarë Populli Shqiptar për Flamurin e Ringjallun të Gjergj Kastriotit... Pothuej asnjë nga Këta Heroj nuk përmendet...vetëm pse i ka përjetsue At Fishta në “Lahutën e Malësisë”, e na prap sot...nuk i zamë me gojë..! Po mbasardhësit e Tyne, çka u banë..? E turpi vazhdon edhe sot!... Po a mundej kush me shkrue për të vërtetën historike të këtyne ngjarjeve mbas vitit 1944, kur komunistët që në ditët e para të Dhjetorit 1944, pushkatojnë mu tek kthesa pa shkue tek ura e Lezhës, Trimin Dedë Coku, një nga Herojt që përmendet në vargun e pafund të Atyne Burrave, që gjithmonë u bane Mburojë e Atdheut, kundër cilitdo anmik që guxoi me dhunue Trojet tona dhe Flamurin e Atdheut! Po a vetem Heroi Dedë Coku u pushkatue nga komunistët e pabesë anadollakë dhe sherbëtorë të shovenistëve serbë? Po çka ngjau me trashigimtarët e Dedë Gjo‟ Lulit, tue fillue me Trimin Gjelosh Luli e tue vazhdue me të gjithë të tjerët? Tradhëtarët komunistë shqiptarë vazhduen me zbatue ashtu si sot...porositë e shovenistëve serbë... Sot Populli Shqiptar duhet të mësojë të vërtetën!.. 29

Vlonë 1912.
(Grafikë nga Fritz Radovani 1962). 30

“SHQIPTARË, A NDIET…!”
Shqyptarë, a ndiet ? Evropa, mrrutë e ndytë, Shkërdhye me Evrej t‟ Parisit e t‟ Londonit,
( Se cillës dreqi ia plasi të dy sytë
E marren ma s‟ e sheh, njitash n‟ e s‟ vonit)
E bani gjyq, qi t‟ nipat e Kastriotit
Shkjevet t‟ Balkanit urë t‟u rrinë mbas sotit. Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Evropa, Qi shi njatyne urë t‟u rrinë perdhé,
Të cilët Kishat rrënue ua kanë me topa
E n‟ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:
Qi t‟ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me dekun ûni. E mbas sotit Shqyptarët n‟ gjuhë t‟ huej do t‟ flasin; E gjaksvet t‟ vet do t‟ bajn kta t‟u ngjatët jeta? Hajnat lapera, zotëni do t‟ thërrasin, E t‟ pa rodit do t‟ i japin pagë e t‟ dheta; Me armë shqyptare, n‟ za gjithmonë e n‟ namë, Sogje Shqyptari shkjaut do t‟ rrijë sod m‟ kamë (At Gj. Fishta, “Mrizi i Zanave”, fq. 46.)
Mali i Zi hyni për të dyten herë në Shkoder…
Shpresat e Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë. Mjaft njerëz ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë. 31

Gjithkah e gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit. Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis… Kjo arritje e Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide të kjartë për t‟ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa dyshim Shqipninë Europiane. Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut!
Rusia synonte me kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli. Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar, Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me të cilat Ai ua ka tregue rrugën e pakorrigjueshme të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga 32

një atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi, sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të vramë. Amerika, në dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres, porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t‟i ruhet mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke...”, e “këte rryp toke” shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare. Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit. Pabesia shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër. Na ishim të mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne asht poaq e vazhdueshme. Mbas Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku pabesia mbretnonte. Kjo psikologji nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë gjithmonë para se me shkue në luftë... 33

Ishte ideali i naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo‟ Lulin i bani të përjetshëm. Dedë Gjo‟ Luli me djalin e vet Kolen. Dedë Gjo‟ Luli mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do të kthente prap ndër Malet e veta. 34

Ishte vetëm pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik. Mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen, ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun. Dedë Gjo‟ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin dhe djalin e vet tek qela e Oroshit, ku Deda mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa Dedën e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fashatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo‟ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të Dedës, për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja. Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se: “Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!” 35

IDEALIN AI E LA TË SHKRUEM ME GJAK !
.
Shkodër, me 29 Maji 1924. Etnit Françeskan të Shkodrës, mbas sa përpjekjesh, mujtën me sigurue dhe me organizue ceremoninë e Tyne madhshtore të sjelljes në Shkoder të Eshtnave të Dedë Gjo‟ Lulit dhe të Djalit të Tij, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Ishte një popull i pafarë tek Kisha ku do të zhvillohej ceremonia mortore e Heroit. Ishte i pranishëm edhe Delegati Apostolik, Shkëlqësia e Tij, Imzot Ernesto Cozzi, i cili, në mes të ma tepër se 3000 qytetarëve shkodranë, e përcolli Dedë Gjo‟ Lulin deri tek banesa e Tij e fundit ndër vorre të Rrëmajit. Morën pjesë edhe të gjitha autoritetet shtetnore të Shkodrës. Në oren 8.00 të mëngjesit, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë, At Pal Dodaj, filloi Meshën e organizueme për Fatosin e Maleve. Një orkestër e zgjedhun për këte rasë, me tingujt e saj të përmortshëm, e bani edhe ma të madhnueshme atë ceremoni mortore. Mbas Meshet zani i përmallshem dhe i fortë ku ishte ma i zgjedhuni mu në atë fidanishtë dijetarësh të pashoq, e që ligjëroi me solemnitet për jeten e Dedë Gjo‟ Lulit, ishte predikatari i Madh At Anton Harapi. Ndër tjera fraza Ai tha: “Sikuse Athena e Roma mbi gjak e eshtna të Fatosave ngrehën ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamun të Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikëvet të sterpikëte krepat e Maleve tona!... Mbas 400 vjetësh me çeten e vet lufton për të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për Liri kombëtare... Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve ... Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e Tij vloi edhe zelli për Fe...Në Te vërtetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare...” Në fund oratori At Harapi iu drejtue gjithë shqiptarëve të të gjitha viseve, që emni i Fatosit të përjetësohet me një Monument. Ishte shumë prekës për të pranishmit momenti kur At Antoni ju drejtue djalit të Luc Nishi, që ishte vra tue luftue trimnisht në luftën e rrebtë të Koplikut, kur i tha: “...Të rritet i mirë se ka kujt i ngjet e ti japin zemër Bajrakut të vet Hotit, që edhe pse iu desht me hjekë ma keq sesa Bajrakëve të tjerë, me nder e me namin e Tij, ka me mbetë ndër ma të Parët Bajrakë të Shqipnisë!” 36

Banda e Bashkisë së qytetit vazhdoi me jonet e përmallëshme me vajtue pranë trupit të Heroit t‟ Atdheut. Arka me Eshtnat e Fatosit të Traboinit doli madhnisht nga Kisha Françeskane e mbulueme me Flamurin Kombëtar. Populli e mori në dorë në shenjë nderimi deri në vorrezat e Rrëmajit. Procesionit i prini Banda e Gjimnazit të Fretënve e veshun kuq e zi, me veglat e stolisuna me shirita të zez, mbas të cilëve ishin përfaqsuesit e shoqnive të tjera të ndryshme të qytetit, përfaqsuesit shtetnorë dhe mbarë Shkodra...që të rreshtuem në heshtje u sollën dhe shkuen në drejtim të Kishës Kathedrale. Ndigjohej vetem muzika që bashkohej me jonet e kumbonëve të Kishave të qytetit që edhe ato në shenjë zije rrahnin në njëanë... Njigjohej vetem një za, Zani i Atdheut që përherë të parë po i deshmonte nderimin e duhun Fatosit të vet mbas 7 vjetësh... Mbas salikimit në Kishen Kathedrale procesioni u drejtue për në banesen e fundit në Rrëmaji. I madh e i vogël po përcillnin Tre Burra të një shtëpisë njëheri...prandej dhe lotët nuk mungonin mbas Arkës... e cila ndiqej nga Banda e Gjimnazit të Fretenve. Ajo në Vorreza me nderimin e duhun nga të pranishmit ekzekutoi me madhshti Hymnin tonë Kombëtar. Mori fjalën edhe oratori Don Lazër Shantoja...e mbas Tij, foli edhe kushrini i Dedë Gjo‟ Lulit, Gjok Luli, i cili tha: “Po të falem nderës me gjithë zemer moj Shkodër, për ket punë që ke ba, po ma teper po u falen nderës gurt‟ e Hotit. Tue mos ditë me kuvendë ma gjatë, po ju tham se nuk e kemi besue se i dini ju këto punë. Edhe unë po gëzohem me ju. 500 shtëpi që ka Hoti janë fikë e dalë në rrugë të madhe e, kaq jemi ba porsi ajo grueja e pakunorë, porsi ajo qyqja e zezë...Kushtrim...Zot!...Kushtrim, Shqipni për 500 shtëpi Hot që jemi shkrepë rrugëve tue vdekë urije e, kemi derdhë gjakun me ba Shqipni!.. E, pasha Këta Eshtna që kemi para se edhe sa mashkuj që të kenë këto 500 shtëpi, kanë me vdekë për Shqipni!”... Tue mos mujtë ma me vazhdue hjekë kësulen prej kreje dhe e lëshon në tokë... në shenjë Betimi e Bese... Populli u zhgreh në vajë...dhe njeni mbas tjetrit i shternguen dorën Burrave e Grave të Hotit për krye shndosh, të cilët të gjithë bashkë i bashkonte një gjak...një Flamur! Shkodra, edhe pse e lanun mbas dore,...ka dijtë dhe di edhe sot, se kujt me i thanë Fatos, Shpëtimtar i Atdheut dhe me këndue:
“Njaj asht Fatos që tue luftue mbaron”...
(Motivi i përshkrimit të funeralit asht marrë nga At Fishta) 37

MALËSIA ISHTE VETEM KUDHË KU…
RRAHTE ÇEKANI SLLAVO – OTOMAN… Çekani që ka rrahë gjithnjë mbi Malësitë e Veriut të Shqipnisë, tue mos i lanë gja mangut as popullsisë shqiptare ndër Tokat tona rreth e përqark, asht po ai çekan, që ma vonë ishte simbol i flamurit bolshevik të shtetit të parë komunist në botë, Bashkimit Sovjetik, dhe që mbas vitit 1944 rrahi zyrtarisht edhe mbi Popullin Shqiptar me dorën e Partisë Komuniste Shqiptare, e themelueme nga spijuni ordiner i Jugosllavisë Enver Hoxha me pasues Ramiz Alinë, një tjeter tradhëtarë e sherbyes „besnik“ i të gjitha veprimeve të poshtra dhe antikombëtare të mësuesit të vet pararendës. Shpesh janë shpallë e shpjegue veprimet e tyne, aq sa antiatdhetare, aq edhe terroriste, por heshtja vazhdon...heshtje vorresh! Fatkeqsisht në sistemin komunist gjithshka asht e gjymtueme, tue fillue nga mendja e njeriut! Ma parë do të baj një shpjegim të fjalës “gjymtoj” nga vetë fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe 1980, faqe 632: “I pres ose i dëmtoj rëndë një gjymtyrë, e bëj të gjymtë... 3. fig. I cenoj rëndë vetitë e mira shpirtërore e morale. E kanë gjymtuar shpirtërisht. 4. fig. I heq një a disa pjesë të rëndësishme, një vepre, një teorie, një ideje etj. I gjymtonin veprat përparimtare, kur i botonin. E gjymtoi mendimin (teorinë).” Krahas mendjes e para vepër e gjymtueme asht Gjuha ynë, e cila dihet si ka vojtë, mandej veprat tjera, ato të përditëshmet, si bije fjala arti, kultura, ose edhe një gja e thjeshtë, një “vizitë” në një muze. Porsa i afrohesh një vitrinës me pa një dokument të fillimit të Shekullit XX, je nën vrojtimin e dyshimtë të mendimit që përmban çdo dokument aty. Shih aktin e Pavarësisë sonë të nënshkruem nga disa vetë pjesëmarrës t‟Asaj vepre aq të madhe e fisnike Atdhetare dhe ke me gjetë “mangut”, të gjymtuem shumë emna që janë fshi... E, pse? – Nga dora “cunguese” e pseudohistorianëve tonë...që vazhdojnë ende me paturpsi me shkarravitë dokumenta false... Asht pushtue mbarë bota Shqiptare në të gjitha anët e globit nga librat dhe botimet false që vazhdojnë edhe sot të botohen nga “Mejtepi Enver Hoxha” i Tiranës, ku jo vetem mbizotnon pavertetësia, pasaktësia dhe dyshimi por, asht në “lulëzim” gënjeshtra, shpifja, trillimet dhe falsifikimet, tipare të hartuesve “marksit – leninist” modern. 38

Ka 65 vjet që keqinterpretohet shkrimtari Pashko Vasa. Në vitët 1988 – 89, anëtarët e Burosë Politike të Komitetit Qendror të P.P.Sh. dhe shumë pasues të tyne filluen me recitue vjershën e Pasko Vasës dhe me i tregue Popullit Shqiptar se: “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria!”. Kur Pashko Vasa ka shkrue vjerrshën, nuk kishte vetëm pak Shqiptarë, edhe Ata ishin shumica ndër male, pikërisht atje ku turqit nuk mujten me vue ligjin e tyne dhunues, siç thotë edhe historiani Fan S. Noli: “Mbetën Katholikë vetëm malësorët e Veriut me armë në dorë” (Historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Viti 1966). Këta, Shqiptarë katolikë, turqit i quejtën “kaurr”. Pjesa e islamizueme thonte “na jemi turq”, pjesa tjetër e Jugut gati deri në Elbasan, thonte “na jemi grekë”, sepse ishin Orthodoks. Pra, të gjitha dokumentat tregojnë se pushtuesi kishte ndikue kaq shumë në çashtjen tonë Kombëtare, sa njerëzit, kur donin me tregue besimin, thonin kombësinë prej nga kishte ardhë ai besim në të cilin ishin konvertue. Kështu ka vazhdue deri vonë për mos me thanë se edhe sot ka shumë Muslimanë që thonë se jemi turq, dhe ka shumë Orthodoksë në Jug që e quejnë veten grekë, edhe pse të dy palët si kombësi janë Shqiptarë.
Pikërisht këtu ven theksin Pashko Vasa se Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria, pra Shqiptaria asht Kombi i Muslimanëve, Orthodoksëve dhe Katolikëve Shqiptarë. Kur flisni për Shqiptarinë leni në një anë Kishat e Xhamijat, ose ma mirë me thanë, tash që ka ardhë koha për me tregue se cili komb jeni, mos u ngatrroni me kisha e xhamija, e këtu, asht fjala e thanun kjartë për otodoksët që ngatrronin kishën greke me kombësinë e vet shqiptare, apo muslimanët që nuk hiqnin dorë nga Turqia, tue kujtue se po mohojnë fenë e tyne...Këtu jemi edhe para një interpretimi të shtrembët me vetëdashje nga ateistët, të cilët mundohen me paraqitë Shqiptarët si komb “pa fe”. Asnjëherë Shqiptarët e Malëve nuk kanë ba bé “Pasha Shqipninë apo pasha Kishën”...por, “Pasha Zotin, kjoftë lëvdue”...ose kur kanë çue gotën e rakisë apo të venës: “Kjoftë lëvdue Jezu Krishti”; pra Ata Shqiptarë për të cilët flet Fan S.Noli asht kenë e kjartë Kombësia dhe Feja. Pjesa që mohoi këte fe, tue mos u pajtue shpirtnisht me zaptuesin, mohonte kombësinë, por nuk mohonte fenë, mbasi feja për ta ishte e shenjtë... ndërsa kombësia shqiptare, turke apo serbe e greke nuk i prishte punë dhe, kjo asht aq e vërtetë, sa deri tash vonë shumë malësorë kishin emnat muslimanë, ndërsa në të vërtetë ata ishin katolikë dhe katolikë të vëndosun, aqsa rreshtoheshin në shpella e 39

male në luftë kundër turqëve. Këtë fakt e gjejmë në besimtarët katolikë deri në ditët tona prap ndër shumë krahina, si Mehmet Shpendi, Tring Smajlja, Qerim Sadiku, etj. Në Kosovë ka edhe sot meshtar me emna Muslimanë. Pra, shpesh emni ishte mjet mbrojtjet nga pushtuesit turq, ashtu si ndër relacione të klerit tregohet se meshtarët qarkullonin nga një vend në tjetrin të veshun fshatarë, për mos me ra në sy të zaptuesit turk. Fillimi i kryengritjeve ndër Malësi solli tjera rrethana. Në të vërtetë shumica e klerikëve e sidomos Françeskanët shqiptarë kanë luftue me armë në dorë kundër pushtuesit siç, e kam shtjellue edhe ma sipër këte çeshtje. Këto kryengritje dhe beteja ishin të përgjakshme kundër turqve dhe duhet ditë se janë vepra heroike e historike që kanë vulen e Klerit Katolik Shqiptar dhe të Malësorve trima të Veriut, Jugut dhe të Kosovës me praninë e vetë Isa Boletinit në Sheshin e Flamurit me 28 Nandor 1912. Kjo vulë asht kryesore që i la në harresë këto ngjarje! Urrejtja, mëllefi, injoranca, fanatizmi anadollak i pseudohistorianve i pranishem dhe i mëshefun ndër katedrat marksiste leninste, vazhdon me na shkatrrue dhe me ba pandërpremje politiken e përçamjes kombëtare edhe sot. Ndër të paktit përsonalitete të hueja që nuk janë pajtue dhe kanë kundershtue haptas tue lanë edhe dokumenta për mendimet e veta që kanë shpreh në lidhje me vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, asht Mary Edith Durham, Zonja ma e dashtun e Popullit Shqiptar kur Shqipnisë i rrezikohej kenja ose moskenja e Saj. Ajo ndërkombtarizoi çeshtjen shqiptare tue “vertetue vendosmeninë që ekzistonte në qarqet katolike austriake për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj të baheshin respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (Mary. E. Durham, Mr. Nevinson, Podgorica 26.02.1913. nga Prof. R. Gurakuqi.)
Pa u shkëputë nga dokumentat që paraqet Prof. Romeo Gurakuqi në vitin 1999, ku tregohet roli i Klerit Katolik në një nga momentet ma kritike të Shqipnisë, që u krijue nga tradhëtari Esad Pashë Toptani, ku dalin të kjarta veprimet e Prelatve të Klerit, që nga Imz. Nikoll Kaçorri, Serreqi, Bumçi, Mjedja, Doçi, Koleci, Shllaku, Bianku e delegacioni i derguem nga këta përsonalitete me 8 Maji 1914, tek Mbreti Wilhelm Wiedi I në Durrës, ku ishte Dedë Gjo‟ Luli, Mikel Topalli dhe Palok Kurti, dhe që kerkonin përveç riintegrimit të krahinave të Hotit, Grudës dhe të Gjakovës edhe të 22 fshatrave të Anës së Malit, të cilat i përkasin Shtetit Shqiptar. Vendimet dhe të gjitha kërkesat e këtij Komiteti i kryesuem nga Imz. Jakë Serreqi, ishin në interes të paqës, drejtësisë dhe 40

të Drejtave të Shejta njerëzore. Atëherë, pse këto vlera kaq të mëdha të Historisë sonë kombëtare mbesin të panjohuna ende sot? Në një artikull të z. Marash Mali në Florida USA, “Shqipnia Etnike nga e vërteta në andërr”, lexova një citat të Marksit, që me 1878, ky i “kujton” Kongresit Berlinit, kohë për të cilen po shkruej, si vijon: "Arnautet (Shqiptarë) janë pjesërisht të krishtërë të ritit orthodoks-grek dhe, pjesërisht muslimanë, ku duke gjykuar përsa i njohim janë pak të përgatitur për t'u qytetruar. Prirja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinjë ti mbajë ata nën trysni të rrebtë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendët fqinjë të mos u sigurojë punë atyre, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quajti "Turki Europjane". “Është pasuri natyrore e trashiguar nga stërgjyshrit e rracës sllave të jugut. Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnaut dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarë më të egër të qytetrimit e përparimit, përkundrazi sllavët janë të vetmit bartës të qytetrimit” . Tham të vërtetën se deri sot nuk kam lexue citat për Shqipninë dhe Shqiptarët ma antinjerëzor dhe barbar, ashtu siç ka kenë edhe teoria e tij regresive në Shek. XX, jo vetëm për Shqipninë, por pikërisht, për vetë sllavët, “bartës të qytetnimit” simbas tij, që nga “kjo botë e qytetnueme” teoria e tij, mujti me i ba kopshti zoologjik i komunizmit në Evropë. Shumë çudi: Marksi nuk kishte dijtë se kufini shqiptar i vendosun padrejtësisht në Jug me Greqinë, nuk bije në Vermosh as në Hot apo në Grudë, dhe se Popullsia Shqiptare në ato krahina Etnike nuk asht e ritit Orthodoks – grek, por asht tash dy mijë vjet Katolike...Shqiptare! “Shoku” Marks paska dashtë me pa Popullin Shqiptar tue trokitë në dyert e Serbisë dhe tue vrritë “A keni dru me pre?...”. Na edhe e kemi pasë mbajtë për të “mendshëm”! Po nuk e dinte Marksi ate që aso kohe shkruente Faik Konica: “Shqiptarët janë të vetmit Katolikë që gjenden në Gadishullin e Ballkanit; dhe deri në fund të shekullit të XVII, Feja Katolike është quajtur në gjuhën serbe „Feja Shqiptare”. Sigurisht, nga idea e Marksit asht nisë edhe E. Hoxha, që mendoi si e si të gjithë ata që ishin intelektualë me i këthye në drue – prerës dhe në ujë – bartës, tue punue gjithë jetën në kanalet ujitëse dhe në thamjet e kënetave të mbarë vendit nga Torovica deri në Sarandë. Pikërisht këtij citati i përket edhe thanja filozofike e Prof. Kolë Alimhillit: 41

“Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin!...”. Na kemi kujtue se kështu vepronte Enver Hoxha, po në fakt ky paska kenë parim i Marksit. E kur shteti bie në dorë të hamajve e...si arrihet qytetnimi?!.. Po tash që Shqipnia asht në NATO, si do ti bahet halli citateve të Marksit, veprave të Enver Hoxhës dhe atij librit “Enveri ynë” të Ramiz Alisë?!...Besoj se të gjithë Shqiptarët e dijnë “vendin e tyne”...ndonse, edhe sot po zvarritet, por dhe po punohet haptë nga vetë pushtetarët, mos me u arrijtë nga Shqiptarët rivendosja në Europë!.. Aty – këtu ndigjohet vetem zani i ndonjë qyqes e kukuvacës, që ndjellë zogjët e natës për gjak...për vrasje, për luftë vëllavrasëse, për luftë antiatdhetare... për luftë për pushtet e diktaturë sllavokomuniste! Po më kujtohet një thanje e At Fishtës në Parlament, “nën za”: “Edhe ky ...një G.B.!”, kështu, Ai përkufizonte ndonjë diskutant... me ndonjë mik që kishte pranë...dhe, nënkuptohej se edhe ai rreshtohej në librin e posa botuem të At Fishtës, me emnin “Gomari i Babatasit”. Me kohën ecin edhe fletët e librave të “historisë”... Në vitin 1985 u botue në Tiranë, në Kryeqytetin e Shqipnisë, një libër i trashë nga Akademikët e “hollë” të Akademisë së Shkencave, me titull “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”...Aty shkrihet “esenca e trunit të atyne dijetarëve” që kanë shtrydhë mbi librat e të gjitha fushave, e i kanë ba... llom, ashtu si i ka mësue partia komuniste, udhëheqësja e “dijes dhe e shkencës së tyne” materialiste e terroriste, por kurrë Shqiptare! Në faqe 886 shkruhet për Haxhi Qamilin, plot 56 rreshta... dhe, në fund tregohet se esadistët e kapen dhe e varën...Në fund të këtyne rreshtave asht shenue hartuesi i tekstit me siglat (G.Sh.) Në faqe 649 shkruhet për Dedë Gjo‟ Lulin, plot 46 rreshta... dhe, në fund shkruhet “...Me 24 Shtator 1915 forcat pushtuese serbo – malazeze, në bashkëpunim të ngushtë me reaksionin bajraktaro-çifligar e klerikal vendas, e shtinë në dorë pabesisht dhe e vranë në Sheshëz afer Oroshit. (G.Sh.)” pra, po e njajta sigel e hartuesit të Haxhiut... M‟u kujtue At Gjergj Fishta dhe mu duk sikur ishte tue më thanë “nën za”: Qé ku asht dhe një – G. Sh...– “Gomari i Shkodres” – “prof.dokt. i shkencave” Gazmend Shpuza... E sa nga këta G...ka sot Shqipnia..?! 42

MBAS “HYMNIT KOMBËTAR”...
29 Maji 1924... Në Rrëmaji...
Porsi fleta e Ejllit t‟ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqipnisë,
E thrret t‟ bijt e Kastriotit
Mu mbledhë tok nder çetë t‟ ushtris‟.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnjysë a t‟ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Per mbas Flamrit t‟ vet Shqiptari,
Kur rrokë armët per t‟ drejta t‟ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet n‟ t‟ leta.
Bini, Toskë!....
Mbi njatë Flamur Perendia 43

Me dorë t‟ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqiptarë do t‟ jét Shqipnija;
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!....
Shka? A thue „i mend se at‟ tokë t‟ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t‟ huej‟t na kem m‟ ia lanun?
Bini, Toskë!....
Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem‟ me u shkri me gra, me fmi!
Kem‟ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t‟ huejn n‟ Shqipni.
Bini, Toskë!....
M‟ kambë, Sokola të Shqipnisë!
Flamri ynë, qé, n‟ ajr po shtiellet
Si pol veshet t‟ Perendisë,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!....
Ma mirë dekë me u shue nen hije
T‟ Flamrit t‟onë në fushë t‟ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t‟ huej t‟ Ballkanit.
Bini, Toskë!....
Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n‟ zâ kem‟ pasun t‟ Parët,
Luften né na e msoi Kastriota:
Kè, thue, frigë do t‟ kenë Shqiptarët?!
Bini, Toskë!....
Urra! Djelm, ehu‟ u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p‟r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!....
(Autori: At Gj. Fishta.1913.) 44

Mbas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar nga Banda e Gjimnazit të Françeskanëve...e mori fjalen oratori Don Lazër Shantoja. Ai tha: “...Po ju shti ndër mend vetem fjalën e Lamartine, se: Hini i të vdekunve krijoi Atdheun! E Atdheu Ty sot, o Dedë Gjo Lul, po të falet nderës para gjithkujt pse me gjakun Tand të papërlyem shleve faqen e zezë të të gjithë atyne shqiptarëve që ndër këto kohna të fundit e edhe sot, nuk patën e nuk kanë turp me marrë pare prej anmikut të përjetshëm, prej atij serb prej të cilit Ti, o Fatos, tjetër dhanti kurrë s' more përveç plumbave të mauzerres...” e edhe sot!... e edhe sot!... e edhe sot!... e edhe sot!... e edhe sot!... e edhe sot!... nuk patën e nuk kanë turp me marrë pare prej anmikut të përjetshëm, prej atij serb, prej të cilit... Edhe sot...o Fatosa, tjetër dhanti kurrë s morët prej tyne ...përveç plumbave të mauzerres... e edhe sot!... e edhe sot!... Po Vorret ku i keni ?... e edhe sot!...Po Trojet Tueja ku janë ?... 45

E edhe sot mbas 100 vjetësh...
Qé ku asht edhe Flamuri Yt... O Dedë Gjo‟ Luli !
Tiranë, 21 Janar 2011…
Dekorata “Nderi i Kombit” Melbourne, Mars 2011. 46

Falnderim Falnderoj z. Kolec Palokë Traboini për ndihmesën me foto dhe dokumenta të tjera të vitit 1911. Autori. Leteratura:
Gazeta “Ora e Maleve” viti 1924.
Imz.Luigj Bumçi, libri “Nga kujtimet e mija”. Botue në Revisten “Hylli i Dritës” viti 1944. At Gjergj Fishta “Mrizi i Zanave”, botue në vitin 1941, Shkoder.
Martin Camaj, Libri Gediche, München 1991.
Don Lazer Shantoja, libri Vepra, Shkoder, 2005.
Henry Kissinger, libri Diplomacia, Tiranë 1999.
Fan S. Noli, “Historia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut” Tiranë 1967.
Prof. Romeo Gurakuqi, “Krishtërimi ndër Shqiptarë” fq. 377. 1999.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985. Fritz Radovani nga libri “Një Monument nën dhé”, Zagreb 2004. Melbourne, Mars 2011. 47

...NË KAMBË SE NË KAMBË!..NË KAMBË...SE 1913. Kumbonaria e Kishës Kathedrale në Shkoder, e trandun deri në thëmel nga gjylet e topave të malazezëve 210. ...NË KAMBË SE NË KAMBE !..NË KAMBË SE NË KAMBË !.. NË KAMBE SE NË KAMBË SE ... ..NË KAMBË ...Ooooo......DEDË GJO’ LULI..!!.. Kopertinat nga F. Radovani 2011 (Fotografijat nga Foto. Marubi).®