Atdhetari Prenk Gruda (1912-1999)


PRENK GRUDA
ATDHETARI QE MBETI PA ATDHE

Shkruar nga Nikollë Camaj


Në fillim të tetorit u mbushën plot 10 vite qëkur vdekja mori në gjirin e vet një veprimtar të palodhshëm, të njohur sidomos në diapsorën tonë, Prenk Grudën. I lindur në Stanaj të Grudës, në vitin 1912, mu në vitin kur po lindte Shqipëria, i edukuar dhe shkolluar në Shkodër, ishte ndër figurat më përparimtare të kohës. Ai shumë herët solli frymë të re në Malësi, frymë emancipimi e qytetërimi, frymë kjo, mungesa e së cilës ndihet edhe sot. Në Shkodër i kishte marrë edhe motrat e vëllezërit e vet, sepse e ndiente thellë nevojën e edukimit të rinisë malësore, sidomos të femrës.
Si i ri, me botëkuptime përparimtare, ishte një antifashist i përbetuar, por ai shumë shpejt do ta hetojë hilen që po përgatiste komunizmi, si re e errët mbi kauzën tonë kombëtare, kështu që ishte ndër intelektualët e parë antifashist që u armiqësua me elitën e re politike dhe, poaq sa ishte antifashist u bë edhe antikomunist. Prenka nuk i përkiste asnjërës nga rrymat politike, as atyre të shpallura retrograde, por as asaj që mbahej për progresive. Ai ishte një patriot shqiptar i cili kauzën kombëtare ia kishte paravënë përcaktimit politik, andaj edhe kundërtshtoi elitën e re politike. Përpos antikomunizmit, një prej „fajeve“ tjera të mëdha të Prenk Grudës ishte edhe nënshkrimi, së bashku me shumë patriotë shqiptarë si Smajl Haxhia, Pjetër Zeku, Selman Juku, Zef Prëka, Dedë Nika, Kolë Prëloka, Sherif Hyseni, Ali e Zeku e tj., në Memorandumin për një Shqipëri në kufijtë e saj etnikë. Kështu, sllavët nuk e deshtën se ishte tepër shqiptar, shqiptarët nuk e deshtën se ishte antikomunist, andaj mbeti pa atdhe. Por ai e gjeti veten dhe atdheun e vet të dytë, në mesin e mërgatës, së vjetër e të re, shqiptare në SHBA, ku u bë shpresë për shumë malësorë që mërguan drejt SHBA-së në fund të viteve 60-ta e në fillim të shtatëdhjetave, por edhe përkrahje për të përndjekurit e shumtë, patriotë si ai vetë.
Qëndrimet e tij antifashiste, antikomuniste dhe proshqiptare më së miri dalin në pah në ditarin e tij me titull “Ditari i nji zemre te lendueme” ku janë publikuar shënimet e tij që nga viti 1937 deri më 1976. Libri dokumenton shumicën e ngjarjeve politike të asaj kohe. Petër Prifti, i cili edhe e përktheu Ditarin në anglisht, për veprën kishte thënë se është "histori, literaturë dhe filozofi, tërë në një".
Po sjelli këtu vetëm një fjali nga hyrja, fjali kjo që zbulon krejt brengën dhe botëkuptimin e tij: ”Jeta, në realitet, kaq e shkurtë - sidomos tue mendue si e ushtrojmë - më duket plot me të meta. Prandej, mendoj se asht mirë dhe duhen shtrue e shoshitë me kujdes çashtjet shoqnore, natyrisht me parime morale te përshtatuna natyrës njerzore në pajtim me kohën, për me krijue kushte të dobishme për ne edhe me vu themele të shëndosha për breznitë e ardhëshme..“
Ndërkaq, për të kuptuar edhe më mirë raportin e Prenk Grudës me regjimin komunist-prosllav mjafton të ju sjelli shënimin e datës 20 shkurt 1946, vetëm pesë ditë pas ekzekutimit të Patër Anton Harapit, të vrarë nga “ tradhëtarët mercenarë të Moskës e të Beogradit për hyllin e kuq të pansllavizmit, sepse adhuronte Zotin e Shqipen e Gjergj Kastriotit”. Aty shkruan: ”Profesor Kolë Shiroka ka konfidencë të madhe për çdo gja me mue. Ka gruen ruse. Ajo asht përkthyese besnike e Enver Hoxhës për gjuhët rusisht e serbisht. Si femën nuk asht durue pa i diftue të shoqit, në besë, me njiqind porosi për me e mbajtë sekret tregimin e kobshëm, për çka paska sajue me ba Beogradi në Shqipni kundër klerit katolik. Mbas vrasjes së Patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thanë se i gjithë kleri katolik shqiptar asht Patër Antona, prandej për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, qi me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa ma parë. Ata janë të lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe të spiunazhit të kapitalistave imperialista.” Dhe Prenk Gruda bën përfundimin dhe pyet: ”E atëherë a ka se si besohet shestimi i kësaj katastrofe për ne prej Beogradit? Pse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistat serbë nuk e hjekin qafet klerin e tyne, qi gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikë
Porsonalisht pata fatin ta njoh nga afër Prenk Grudën që herët. Herën e fundit isha dëgjuar me Të, me telefon, vetëm pak ditë para vdekjes së tij. Qendroja, për një udhëtim studimor, në Los Anxhelos, kur ai po dergjej në shtartin e vdekjes në Florida. Linte përshtypje se ishte shumë i qetë, ndonëse i lodhur. Edhe pse i vetëdishëm se po i mbaroheshin ditët, kishte vullnet që të këshillonte, të porosiste, të shprehte dashurinë e pashterrshem të tij për Malsinë e për malësorët por edhe kënaqësinë që priti t’i shohë fundin komunizmit por edhe të shohë se thundra serbe po lëshonte Kosovën. Ai nuk e priti, por e ndjente thellë se pavarësia e Kosovës dhe një e ardhme më e lumtur për të gjithë shqiptarët, po afroheshin. Siç e pamë, kapitullin e quajtur jetë, Prenk Gruda e filloi në vitin e pavarësimit të Shqipërisë dhe e mbylli në vegjile të pavarësimti të Kosovës. Kështu, kalendari i tij jetësor, u përputh pikë për pikë me kalendarin e të arriturave më të mëdha të kombit tonë.
Se kush ishte Prenk Gruda për diasporën e për çështjen tonë më së miri flet një shënim i mikut të tij virtual Kolec Traboini, me rastin e marrjes së lajmit për vdekjen e tij. Ai shkruante: “Nuk u besova syve kur në një kuadrat të faqes së parafundit të gazetës "Illyria" lexova emrin tënd, o vellai im i dashur. E lexova disa herë e mbeta i shtangur me gazetë në dorë. Më 14 tetor 1999... Nuk mund të citoj çfarë shkruhet sepse dëshiroj të rroj me iluzionin se nuk është e vërtetë...”
Ai më poshtë shkruan: “Kam ne dorë letrën tende te fundit, shkruar më 15 shtator e ku më shkruaje se po të dërgoj librin "Kastrati" dhe se edhe për Hotin e Grudën duhet bërë një liber i tillë. Kurrë nuk e hoqe nga zemra Malesine e Madhe, nuk i hoqe nga zemra trojet shqiptare të bëra copë anë e mbanë Ballkanit...E megjithëse çuditërisht nuk jemi parë e nuk jemi takuar kurrë, ti mbetesh miku e këshilltari më i mirë i jetës sime. Erdhe e ike me drite si nje engjëll roje - ndërsa mua më lë në errësirë”, shkruante Traboini i cili në vitin 2001 do të botojë një poezi kushtuar Grudës, nga e cila po sjelli vetëm një strofë:

“Iku të vendoste trupin e lodhur në një ograjë
e të mbështeste kokën në një cop shkëmb
të zbritur me rrebeshe nga koha e Mujit
që pinte gjiun e mrekullisë së zanave
e kreshnikët prej legjendash mbinin”.

Prenk Gruda, apatrit në jetë, dëshironte që i tillë të mos mbetet në amëshim. Për këtë u përkujdesen të afërmit e tij, në rend të parë, djali i vëllait Kola, të cilët ia mundësuan që të prehet në dheun e të parëve e të bëhet pjesë e tokës arbënore, të shkrihej aty ku edhe i kishte rënë koka e ku kishte filluar jetën e vet. Trupi i tij sot prehet në varrezat familjare në Dinoshë.
Përkujtimi i personaliteteve të ngjashme me Prenk Grudën, nuk i rritë ata, sepse ata me veprën e vet mbeten të pahaurrueshëm në memorien kolektive të kombit, por na rritë e mburrë ne që i patëm dhe i njohëm, prandaj është obligim që t’i kujtojmë së paku në përvjtorët e tyre. Duke u përkujdesur dhe përkujtuar ata që kanë vënë qoftë edhe një guralec në kullën e quajtur Malësi, e jo ma ata që kanë ndërtuar kulla, ne lajmë borxhin, jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj gjeneratave që do të vijnë.

Revista "Kuvendi" Detroit, nëntor 2009

image













Vepra te Prenk Grudës,"Ditari i një zemre të lendueme"- "Diary of a wounder Heart" botimi shqip, 1985, Romë - Itali dhe botimi anglisht, SHBA, Marinaj Publishing 2000.


KOLEC TRABOINI

BRENGA

Prek Grudës i mbeti fryma pezull
bashkë me zemren e lëndume që konturohet
qiejve të Ballkanit pa anë e pa cak
në pesë shtete e në Grudën e vjeter.

Kaq shumë mendime më tundojnë për mikun
që pas na la brengën e iku vetë pa kthim
sa rri e veshtroj qiellin nën një hark metali
që konturon ura e Longfellou
tek ndan e bashkon Bostonin e Kembrixhin
e vehtes i them se njeriu nuk vdes
sa kohë që ka dicka nga shpirti
që endet mbi këtë urë bashkë me njeriun.

Dhe kjo hapsirë që ndan e bashkon qytete moderne
me ngjan si nje ure me emrin e mikut tonë të vjetër
që frymën e la në mes nesh e iku
përtej Atllantikut…

Iku të vendoste trupin e lodhur në nje ograj
e të mbështeste kokën në një cop shkëmb
të zbritur me rrebeshe nga koha e Mujit
që pinte gjiun e mrekullisë së zanave
e kreshnikët prej legjendash mbinin .

Ah Prenk Gruda, ti mësuesi ynë i vjeter,
aq shumë pive nga ky gji sa dhe vetë vdekja
nuk kishte fuqi të të priste udhën
e 87 vjetëve të lodhëshme të kthimit,
sepse fillikat do të ishe në botë të huaj
pa zërat e malësorevë të vegjel që vinë
e me belbëzime shqipesh të flasin tek varri
"Këtu flë mësuesi i parë i Grudës!"

Mungesen tënde aq më shumë e ndjejmë
sa më shumë shkon koha e rutina e përditëshme
na lodh e na raskapit dëshirën e krijimit
me vetminë lodhëse që si patëric e drujtë
na percjell në monotoninë e ditës tjeter
pa lënë asnjë thërrime poetike në tryezë
për zogjt që sot mërdhijnë nga dimri i eger
e s'do kenë fuqi të cicërojnë të nesermen.

O Prenk Gruda
miku ynë i lashtë sa një shekull
miqt e tu të kanë në mes si zemren
që eshtrat e gjoksit brenda vehtes mbajnë.
E kemi një hall - ne të gjallët,
e kemi nje mall,
se nuk ka gjoks pa brengë
e nuk ka brengë që e zë varri.


Nga libri me poezi "Mos vdis dashuri" Tiranë 2002

1 comment:

  1. Ekam njohur :kusheri i pare prej anes babes. Me mbante ne prehen tue kendue poemat epike te Lahutes Malesisè.Dheu i lehte o Preke; e shpirti te ndrite ne perjetesi.

    ReplyDelete